Detaje të reja tronditëse zbardhen nga vrasja makabre e 49-vjeçarit Jan Prenga, pas marrjes peng dhe dhunës barbare, më 17 janar, në Kamëz. Gazetarja Dorjana Bezat tha për “BalkanWeb” dhe “News24” se ka dyshime të forta që trupi i pajetë i Prengës të jetë groposur në territorin e Shijakut.
Siç raporton gazetarja Bezat për “BalkanWeb”, marrja peng e Jan Prengës është urdhëruar nga një grup i strukturuar kriminal, me bazë në Angli, dhe i përbërë kryesisht nga shqiptarë.
Gazetarja Bezat tha se burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit konfirmojnë faktin se vëllai i Jan Prengës, që jeton në Angli, është kontaktuar nga një grup i fuqishëm që me kamionin e tij të nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar mbi 300 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine.
Nga përgjimet rezulton se ai e ka marrë lëndën narkotike, por nuk e ka dorëzuar në destinacion. Për këtë, mendohet se grupi kriminal ka urdhëruar marrjen peng të vëllait të tij, Jan Prenga, i cili për shkak të torturave të shumta, ka gjetur vdekjen.
Nga hetimet rezulton se katër personat e arrestuar janë thjesht ekzekutorët, që kanë dhunuar e zhdukur trupin e Jan Prengës, por urdhri ka ardhur nga një grup i strukturuar me bazë në Angli.
(BalkanWeb)