Zëvendës ministri i Brendshëm Besford Lamallari i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se operacionet anti-KCK janë ndërmarrë, për shkak se kishte raporte ndërkombëtare që tregonin se grupet kriminale në Shqipëri ishin fuqizuar shumë.
Lamallari tha se prandaj policia ka marrë të tilla iniciativa, me qëllim që të dobësojë krimin dhe paratë kriminale.
“Kemi krim në Shqipëri që prej 1992 dhe nuk duhet mohuar, aspak. Pati edhe një polic që u vra në operacione anti-drogë. E njëjta gjë edhe me grupet kriminale. Në 2017 u lancua operacioni “Forca e ligjit”. Quajeni emergjencë ose jo, raportet ndërkombëtare kanë treguar se këto grupe ishin bërë të fuqishme. Duke qenë se ishte e fuqishme, policia duhet të godiste mbjelljen e drogës, pronat e grabitura. Forca e ligjit ka mbi 250 persona të arrestuar. Do iu cojmë formular atyre që nuk justifikojnë dot pasurinë. “Ndiqni paranë” është një formulë që përdoret edhe në Britani, ku persona që janë dënuar për krime të rënda dhe posedojnë më shumë se 50 mijë euro, duhet kontrolluar nga i vijnë paratë.”, deklaroi Lamallari.
Duke folur për lirimin e disa të dënuarve me shumë vite burgim, Lamallari u shpreh se edhe ata që kanë liruar të dënuarit për vepra të rënda, janë njësoj si “kriminelët”.
“Reforma në drejtësi është emergjente. Kjo sepse kemi prona që janë transformuar në mënyrë kriminale. Ne synojmë dobësimin e pushtetit kriminal. Sa i përket të liruarve nga burgu, edhe ata që i kanë liruar, janë njësoj si ata që ishin në burg. Do iu çojmë formular për plotësim. Nëse del se nuk e justifikojnë pasurinë, do ua sekuestrojmë pasurinë”, tha Lamallari.
(d.xh/ Balkanweb)