TIRANË

Të tjera detaje zbulohen për operacionin që çoi në arrestimin e botuesit dhe analistit të njohur Henri Çili. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se policia ka nisur një operacion pas urdhër arresteve të lëshuara nga prokuroria e Përmetit me akuzën për ndikim të paligjshëm ndaj një gjyqtari për lirimin e një personit të dënuar.

Çili është kallëzuar nga një gjykatës i Përmetit, për ndërhyrje në një cështje gjyqësore dhe çështja ka kaluar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës.
Nga hetimet është zbuluar një rrjet i tërë personash të përshirë. Nga prokuroria janë bërë muaj të tërë hetime e vëzhgime. disa urdhër-arreste janë ekzekutuar në Tiranë e Përmet.

Janë shoqëruar dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen si dhe janë bërë dhe kontrolle banesash. Po kështu sipas Bezat, është ushtruar kontroll dhe në universitetin që drejtohet nga z. Çili Universiteti Europian i Tiranës, për të gjetur personin në fjalë, i cili më pas është lokalizuar në banesën e tij, ku dhe i është bërë i ditur urdhri i arrestit.

Fillimisht është bërë shoqërimi i tij në policinë e Tiranës dhe më pas është dërguar në policinë e Gjirokastrës. Procedimi ka nisur që në shtator 2019, për akuza si ushtrim i paligjshëm i ndikimit te organet e drejtësisë, mashtrim, falsifikim, pastrim parash.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb