Nga: MIMOZA KOÇIU*
Ka qenë befasues edhe për adhuruesit e tij të betuar, lajmi që erdhi nga Azia Juglindore, se kryeministri ynë, në vizitë pune në Hong Kong, për të joshur investitorë drejt Shqipërisë, kishte marrë me vete për t’i ekspozuar, ciklin e vet të skica-vizatimeve, me të cilat gjatë këtij viti ka hapur dy ekspozita në Gjermani.
Në pamje të parë, një kryeministër që e ushtron çdo ditë pasionin për artin, ngjan tejet ekzotik. Këtë pasion-zanat, ia njohim edhe ne, qytetarët e vet. Por më pas vjen çudia, se si kryeministri i një vendi të varfër, e sheh promovimin e zanatit të vet si pjesë të pandarë të detyrës shtetërore. Dihet që arti ka kostot e veta dhe funksioni shtetëror sjell shumë lehtësira. Një artist kryeministër nuk vuan kokëçarjet doganore, a kostot e transportit, edhe përtej kontinentit, për veprat e tij, e për pasojë zanati i parë bëhet lehtësisht pjesë e ceremonialit zyrtar. Paradoksi qëndron te bindja që ka kryeministri ynë se Shqipëria do duket më pak e varfër, më pak e korruptuar e më pak e keqqeverisur, nëse “shihet” përmes ylberit të ngjyrave të ndezura në skicat e kryeministrit. A nuk e bëri këtë kur Tiranën e vizitoi për herë të parë (e nuk dihet kur do kemi rast tjetër), kancelarja gjermane Angela Merkel? A nuk e shpërdoroi kryeministri kohën në dispozicion me të, për t’i treguar godinën e rikonstruktuar të qeverisë, veprat e artistëve të huaj (artistët shqiptarë nuk janë të denjë për vëmendjen e tij), si dhe vizatimet e printuara në muret e zyrës së tij, si “art” e risi Shqipërie? Rrethana të forta gjeopolitike bënë që një kancelar gjerman të vizitonte Shqipërinë e vogël, duke i dhënë vëmendjen e nevojshme politike e mundësi të hapura ekonomike. Paraardhësi i kryeministrit e ëndërroi gjatë atë vizitë, por fati i buzëqeshi Ramës, që kapacitetet e Shqipërisë i reduktoi në ngjyrat e skicave personale.
Ashtu si dikur, tek lyente si kryetar bashkie fasadat e pallateve të Tiranës, edhe sot kryeministër, Edi Rama mendon njëlloj, se puna mund të zëvendësohet me ngjyra, e veprat me fjalë. Sot ngjyrat i ka për të mbresuar të huajt, edhe pse mësimet e para mbi artin i ka nxënë prej traditës së tyre. Ndërsa fjalët, pa doganë e pa kupon tatimor, i ka për shqiptarët që nuk ia quajnë punë vizatimet në orarin e punës, edhe pse ndër vite na ka “edukuar” me praninë e rapidografëve, lapustilëve, temperave e lapsave me ngjyra në çdo ambient pune të tij. Madje, gishtat e njollosur nga ngjyrat, të dallueshme edhe në daljet televizive, apo vizatimet që bën gjatë seancave parlamentare, kur vendos të qëndrojë, na janë bërë pjesë e këtij normaliteti të kultivuar prej vitesh.
Aq i dukshëm është bërë këtë vit kjo pjesë e zanatit të kryeministrit, sa duket sikur jeton vetëm për të, e karrigia e të parit të qeverisë thjesht e ndihmon ta promovojë atë art personal, që me apo pa arsye, deri tani, e ka mbajtur të paekspozuar.
Nëse ky pasion e qetëson dhe e nxit të frymëzohet për detyrën që e kërkoi si kurorëzim të një aspirate të vjetër, nuk do kishte asnjë problem. Por duket se gjithçka tjetër, që nuk është arti i vet, apo art sipas parametrave të tij, jo vetëm nuk i tërheq vëmendjen, por dukshëm e nervozon, sa herë i evidentohet, si pjesë e detyrës si kryeministër.
Në vitin e tretë të mandatit, kryeministri ka arritur një rekord historik. Si kurrë më parë në këtë çerek shekulli demokraci, një qeveri nuk ka pasur kaq shumë abuzime të denoncuara publikisht, për tenderë e shpërdorime të fondeve publike, nga ministra, deputetë, funksionarë qendrorë a vendorë, e deri tek drejtorët e vegjël në rrethet më të largëta. Të gjithë me shumë grykësi e me një ritëm mbresëlënës, po ia gërryejnë përditë ngjyrën e vjollcë ekstravagante, me të cilën kryeministri e ka lyer fasadën e qeverisjes së vet. Të gjithë duke shpalosur publikisht, e pa pikë zori, një luks të pajustifikuar me të ardhurat e deklaruara, ose për të perifrazuar kryeministrin, pa kupon tatimor, shkurt vjedhje.
Nëse moria dhe përmbajtja e denoncimeve janë tronditëse, reagimi i kryeministrit ndaj tyre është alarmues. Publikisht i përjeton si kokëçarje, si “përralla”, si pjesa më e bezdisshme kur i kërkohet a duhet të japë llogari. Në asnjë rast të vetëm kryeministri nuk është distancuar, a ka bërë një përpjekje për të reflektuar, as për rastet me fakte kokëforta, të shkruara e zezë mbi të bardhë. Në vend të kësaj, ka prodhuar një portal të emërtuar “transparenca.al”, për të justifikuar çdo akuzë që i bëhet, një variant i sofistikuar, e po aq diabolik propagande, si “Ministria e së vërtetës”, e “Vitit 1984: të Xhorxh Oruellit. E megjithatë, kjo makineri e fuqishme justifikimi po vihet poshtë nga fluksi i abuzimeve që dalin ditë pas dite, e sërish qasja mbrojtëse e kryeministrit është çoroditëse.
Si qytetarë, bëhemi dëshmitarë të një kryeministri artist, që refuzon të shohë realitetin përtej mureve të zyrës, edhe kur i vjen me zë e figurë në ekranin e televizorit, realitetin e varfërisë së shtuar, të shpresës së vrarë, të pesimizmit kombëtar, Shqipërinë nën qeverisjen e tij, që si aspiratë të çdo moshe ka ikjen nga sytë këmbët nga ky vend.
Me fjalë e ngjyra, kryeministri impenjohet të na tregojë Shqipërinë e tij, atë që është brenda perimetrit të godinës së qeverisë e ministrive, me arredime luksoze, me veprave ekstravagante të artistëve të huaj, me “Jaguar”-ë fringo për kryeministrin, ministrat e zyrtarët e tij. Për të na e imponuar këtë Shqipëri si realitet të të gjithëve, kryeministri e ministrat rrinë më shumë në ekrane televizive se në zyrat e punës, ndërsa i pari i qeverisë tund vend e pavend ligjin, si kërbaç i forcës së pushtetit, që nuk duhet shqetësuar, as me akuza e as me pyetje.
Nëse gazetarët e pyesin kryeministrin për akuzat që i bëhen qeverisë e ministrave, apo i kërkohet transparencë për shkak të detyrës publike që mban, përgjigjet janë “Kush jeni ju që…”, “Ç’ju duhet juve…”. Mister mbetet arsyeja se si një kryeministër i vitit 2015 sillet si ta kishte funksionin publik pronën e vet private, duke i vënë fre me arrogancë interesimit publik, vetëm se përgjegjësia si kryeministër është një pasqyrë me ngjyra të vrara, që nuk i përshtatet estetikës prej artisti.
Shqipëria ka hyrë sot edhe më thellë në tunelin e errët ku kryeministri e futi djallëzisht sapo mori detyrën, për të bërë diferencën me pasardhësin, e shkëlqyer me punët që do kryente. Ajo çka ka prodhuar deri tani janë aksione, një pjesë të përshëndetura në start për shkak të interesit publik, por që u mbahet mend vetëm zhurma me të cilën nisën, e jo rezultate të qëndrueshme. Rezultatet që renditen si suksese në çdo dalje televizive të kryeministrit e ministrave nuk po përkthehen në investime të prekshme, as në infrastrukturë, ekonomi a shërbime, as në rritje pagash a ulje taksash. Përkundrazi, shifrat e vetë qeverisë flasin për performaca negative të sektorëve kyçë të ekonomisë, për gropa të thella financiare të krijuara nga mosrealizimi i planit e shpërdorimi i fondeve (600 milionë euro është shpërdorimi i fondit buxhetor për vitin 2014 sipas auditit të KLSH). Ndërsa Banka Botërore e zbriti Shqipërinë 35 vende në renditjen botërore për lehtësinë e të bërit biznes, në raport me një vit më parë. E si për t’i vënë kapakun, për të mbushur këto gropa, qeveria po përgatit rritjen e mëtejshme të taksave për qytetarët e vet, përmes paketës së re fiskale.
Ky realitet i errët është i pamundur të mbulohet më, as duke e përdorur axhendën e ditës në zyrë si fletë vizatimi për ta vënë më pas në kornizë, as me prezencën e lodhshme mediatike, me fjalime pambarim plot batuta të konsumuara të çunave të trotuareve të paraviteve ’90-të, duke mbajtur peng me orë të tëra për dekor estetik ministra e zyrtarë, publikë e privatë në orar pune.
Ka ardhur koha që kryeministri të zgjedhë mes pasionit e detyrës. Në vitin e tretë të qeverisjes, e ka bërë publike dilemën e tij se artisti tashmë është në konflikt me kryeministrin. Në studion e Blendi Fevziut, kryeministri paralajmëroi se mund të largohet përpara se shqiptarët t’i thonë “ik se na lodhe”. A do kemi zgjedhje të parakohshme, një votëbesim të ri para qytetarëve, apo do i kthehet zanatit si artist, i rizbuluar si kryeministër, koha do ta tregojë.
Edi Rama është ilustrimi se shpirti i artistit, sado i kultivuar a i përkushtuar, nuk mjafton për të luajtur rolin e kryeministrit. Mund të funksionojë në opozitë a në fushata elektorale, e të çon edhe në fitore si ajo e 23 qershorit. Ekzekutimi i të njëjtit ritornel edhe kur ke hyrë në vitin e tretë të mandatit qeverisës, thjesht e bën qesharak e të rëndomtë protagonistin e saj.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: