TIRANË
Gjatë inspektimit për masat e marra për COVID-19, Manastirliu deklaroi se deri mëngjesin e sotëm janë kryer 36 testime për COVID-19, të cilat rezultuan negative
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën shëndetësore Bathore 3, e rindërtuar nga e para, pjesë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.
“Qendra shëndetësore Bathore ku marrin shërbim shëndetësor rreth 8,500 banorë është një nga 44 qendrat e shëndetësore të rehabilituara në qarkun e Tiranës, me standard të njëjtë, në çdo komunitet”, tha Manastirliu.
Duke parë nga afër masat e marra për pajisjen e personelit shëndetësor me mjetet e mbrojtjes personale, Manastirliu deklaroi se Shqipëria nuk është prekur deri në këto momente nga COVID-16.
“Edhe pse të gjitha strukturat e shëndetësisë janë të fokusuara tek masat për parandalimin e koronavirusit të ri, nuk e kemi humbur fokusin nga programet e rindërtimit, nga premtimet tona. Ndërkohë vijon pajisja me mjete të mbrojtjes personale të të gjithë strukturave të shëndetësisë. 1.2 milion maska po shpërndahen ndërsa janë edhe 1 milion dollarë në dispozicion të spitaleve për të rritur stokun e mjeteve të mbrojtjes personale. Duhet thënë se deri tani janë testuar 36 raste, të cilat kanë rezultuar negative”, tha Manastirliu.
(BalkanWeb)