Është dezinfektuar sot tregu ushqimor i Kombinatit. Në një intervistë me gazetaren e News 24, Dorjana Bezat, shefi i zjarrfikësve, Luan Shehu bëri me dije se ky proces që u krye në treg vijon prej shumë ditësh në rrugë, por edhe në pallate apo shtëpi ku ka pasur raste personash të kontaminuar nga koronavirusi.

Shehu tha gjithashtu se për dezinfektimin ka një skuadër speciale dhe se nuk shkakton probleme për shëndetin e njerëzve.

“Kemi një skuadër të posacme të trajtimit kimik që bën dezinfektimin mbi bazën e normave dhe në bazë të komponentit kimik, këtu kemi përdorur një kombinim të klorit aktiv. Dezinfektimi është 100% i sigurt, kjo gjë është bërë edhe në pallate ku janë identifikuar persona të prekur nga COVID 19. Përdorimi i këtyre elementëve nuk shkakton probleme shëndetësore, nuk do ta përdornim po të ishte ashtu”,- tha ai.

Shehu deklaroi ndër të tjera se klori mund të përdoret edhe në ambientet e shtëpisë për dezinfektimin e dyshemesë.

“Një produkt me përmbajtje klori që mund ta gjeni në market është “ace”, mund ta përgatisni vetë tretësirën: 1 gotë 300 ml ace me 10 litra ujë, të përdoret po flas për ambiente si cimentoja, pllakat, parketi”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb