Biznesmeni Petrit Ago i ftuar në emisionin ”Real Story” të Sokol Ballës në News24 ka folur për ekonominë shqiptare dhe krizën e shkaktuar ndaj saj për shkak të COVID-19.
Ago ka thënë se si në kohën e tërmetit si atë me COVID-19 ekonomia shqiptare ka qenë dhe është e papërgatitur.
Ish- drejtori i Përgjithshëm i Doganave vë gishtin tek qeveritë që kanë qenë këto 30 vite duke theksuar se ato nuk kanë pasur prioritete për ekonominë shqiptare dhe sipas tij papërgatitja vjen ngaqë nuk është investuar.
”Kjo situatë do vinte për mënyrën e situatës së funksionimit në Shqipëri. Ka 30 vite që ekonomia shqiptare duhet të ishte shumë përpara, për një sërë arsyes. Kushtet e Shqipërisë, emigracioni i madh që ka prej 30 vitesh ashtu dhe me kushtet që na i ka falur natyra.
Kjo situatë ka ardhur duke u mbarsur vit pas viti. Ka një rritje të varfërisë. Ka tendencë për t’u larguar nga Shqipëria sepse këtu ndihen jo mirë, nuk kanë mundësi dhe s’mbajnë dot familjet. Në fund fare asnjë prioritet që ka pasur, qeveritë nuk kanë treguar cili është prioritet i tyre në ekonominë shqiptare. Tani edhe shëndetësia që është propaganduar në mënyrë të madhe, por kjo ka ndodhur edhe në vende të mëdha, por ne gjendemi në situata të vështira dhe të përgatitur. Pasi të jesh i përgatitur duhet të kesh investuar. Ne edhe në rastin e tërmetit e kishim domosdoshmëri ardhjen e ndihmave nga jashtë. Duhet pranuar gabimet që janë bërë dhe detyrat për të ardhmen. ”- tha Petrit Ago.
(BalkanWeb)