Diego Milito është simboli i “tripletës” dhe do të mbetet gjithmonë në zemrat e tifozëve interistë. Por në deklaratën e dhënë për mikrofonët e “Movistar”, “Princi” ka trembur jo pak popullin zikaltër, duke pranuar se ndonëse gjendet shumë mirë në Milano, për Lautaro Martinezin do të ishte një shans i madh që të luajë te Barcelona krah Leo Mesit.

“Lautaro nuk ka mbërritur tek Interi falë meje, por sepse është një lojtar i madh. Mendoj se ai gjendet mirë tek Interi, por sigurisht që ka një shans të madh për të luajtur te Barcelona me Leo Mesin. Ai është një lojtar i kompletuar që i përshtatet shumë mirë Interit. E vërteta është që nuk e di se çfarë do të ndodhë, kam dëgjuar vetëm se ka shumë zëra”.

Presioni mediak, sidomos në Spanjë, është mjaft i madh. Il “Mundo Deportivo”, në numrin e tij të djeshëm kishte shkruajtur se “El Toro” ka refuzuar të diskutojnë për përtëritjen e kontratës me klubin zikaltër sepse është i interesuar për të kaluar te Barcelona. Klauzola e tij në kontratë është 110 milionë euro dhe mund të paguhet vetëm nga data 1 deri në 15 korrik.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb