Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka folur pas marrëveshjes në Këshillin Politik duke thënë se PS sakrifikoi për opozitën disa rekomandime të rëndësishme të ODIHR.
Gjiknuri tha se PD refuzoi depolitizimin e administratës zgjedhore por ajo do kryhet gradualisht pas zgjedhjeve të 2021.
Më tej Gjiknuri shtoi se identifikimi biometrik do financohet nga qeveria dhe do paguhet një ekspert i BE që do caktojë masën që do të implementohet teknologjia.
Deklarata për media e bashkëkryetarit të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore z.Damian Gjiknuri, pas përfundimit të tryezës së sotme
Sot u arrit një marrëveshje e negociuar dhe e mbështetur dhe nga faktori ndërkombëtar, për dakordësinë në mënyrën se si do i qasemi Reformës Zgjedhore. U dakordësuam për pikat që përgjithësisht i ndanin palët dhe një gjë dua të them, që megjithëse rekomandimi ishte që administrata zgjedhore të ishte e depolitizuar dhe qëllimi i Partisë Socialiste dhe i qeverisë ishte që këtë rekomandim bazë të ODIHR ta çonte përpara, fatkeqësisht Partia Demokratike nuk ishte gati. E kundërshtoi, por ajo çka është e rëndësishme është që ne kemi rregulla të pranuara nga gjithësecili edhe me këta administratorë që kemi në fuqi. Pra sot që flasim, ajo që u arrit nga palët është që administrata aktuale zgjedhore, pra e balancuar politikisht, me kërkesën të PD, do të vijojë të funksionojë edhe për zgjedhjet 2021.
Për ne si mazhorancë më e rëndësishme është që PD hoqi dorë nga kërkesat absurde. Nuk ka kërkesa për qeveri teknike apo qeveri tranzitore për të organizuar zgjedhjet, nuk ka më kërkesa absurde në lidhje me menaxhimin e zgjedhjeve. Ajo çka është e rëndësishme është që u pranua edhe njëherë që administrimi zgjedhor nuk ka çaluar në Shqipëri, përtej pretendimeve të ngritura, gjithë asaj lufte politike, më në fund u kthyen aty ku duhet të ishin, tek institucionet dhe të pranojnë këto institucione zgjedhjesh që ne i kemi bërë dhe në vitin 2017 dhe në vitin 2019. E rëndësishme është që ne ta pranojmë, ta zbatojmë këtë sistem dhe shpresojmë që zgjedhjet e tjera, tashmë në Kod do të parashtrohen dispozita që depolitizimi të fillojë dhe të shtrihet gradualisht. Nga ana tjetër ne morëm angazhimin që e kemi thënë publikisht: do të përpiqemi, do të bëjmë çmos që identifikimi, i cili nuk i shërben vetëm PD, por i shërben të gjithëve, të shtrihet në çdo qendër votimi aq sa është e mundur. Por ajo çka është e rëndësishme është që nuk mund të mbahen më zgjedhjet peng për shkak të teknologjisë dhe u pranua fakti që administrata zgjedhore, edhe kështu siç ka qenë, e politizuar, e balancuar, ka funksionuar dhe ka zbatuar rregullat e lojës.
Pyetje: Z.Gjiknuri duket se interesi politik prevaloi mbi rekomandimet e ODIHR, sepse ODIHR sygjeronte dhe për teknologjinë 10%, depolitizim të administratës zgjedhore?
Gjiknuri: Po mirë, ju mendoni që ne duhet ta linim opozitën prapë jashtë zgjedhjeve?Ju mendoni se ne duhet ti jepnim alibi opozitës që të thoshte nuk e njoh ligjin zgjedhor? Për ne është i rëndësishëm integrimi, për ne është i rëndësishëm aprovimi dhe pranimi i rregullave të lojës, dhe në fund të fundit mazhoranca është komode tek fakti që me çfarëdo lloj rregullash, mjafton që palët politike të jenë komode, ne jemi të gatshëm që shkojmë në zgjedhje. Çka është në dorën tonë ne do ta çojmë deri në fund. E rëndësishme është që PD njeh këtë ligj zgjedhor, njeh këtë administratë pavarësisht akuzave të hedhura dhe mbi të gjitha shikon përpara. Ne e mirëpresim. Ky është një moment i ri për Shqipërinë që palët ti kthehen tavolinës së negociatave, ti rikthehen njohjeve të institucioneve dhe të shpresojmë të kemi zgjedhje të mira, ku populli të votojë me vullnet të lirë dhe realisht ti japi çdokujt atë që meriton.
Pyetje: Z.Gjiknuri do arrini ta mbyllni në korrik, kur të mbyllet ky sesion parlamentar se mesa duket keni ende çështje të pa mbyllura?
Gjiknuri: Jo, besoj se Kodi do të mbyllet patjetër brenda këtij sesioni parlamentar. Nuk besoj se do tëzgjatemi dhe menjëherë do të fillojë puna për zbatimin e ligjit të ri zgjedhor.
Pyetje: Z.Gjiknuri ku do ti merrni paratë për identifikimin biometrik?
Gjiknuri: Paratë nga Buxheti i Shtetit. Kini parasysh se identifikimi biometrik dhe PD ka rënë dakord, që do të merret një ekspert i huaj, i paguar nga BE për të konsultuar KQZ në lidhje me mundësinë e prokurimit dhe marrjen e një sistemi elektronik. Ai do të jetë personi që do të caktojë shkallën e shtrirjes dhe njëkohësisht mundësinë e implementimit ose jo 100% në territorit. Bazuar në buxhetet e përcaktuara, natyrshëm qeveria do të financojë edhe këtë proces, por identifikimi nuk kthehet më në pengesë për zgjedhjet, kjo është e rëndësishme dhe kjo u pranua.
Pyetje: Z.Gjiknuri sa garanci ka që gjithçka do të mbyllet me konsensus?
Gjiknuri: Besoj, marrëveshja kryesore është arritur, tani kemi të bëjmë me zbardhje të drafteve teknike, që përgjithësisht janë gati. Do të kemi amendime në Kodin aktual Zgjedhor dhe unë besoj shumë shpejt do të kemi draftet e plota për të vazhduar më tej rrugën e nisur.
Pyetje: PD thotë se ka pranuar depolitizimin sot dhe ju jeni tërhequr, të paktën këtë akuzë ka?
Gjiknuri: Nuk ka pranuar depolitizimin PD, unë nuk dua të bëjë ekstradë këtu, sepse qëndrimi i PD ka qenë që ne duam depolitizim. Ata mendojnë se administrata publike është e politizuar, por në fakt për skemën që funksionojnë duhet të kishte një minimum njerëzish nga administrata shtetërore që ta bënte këtë të garantuar, sepse nuk i detyron dot gjithë njerëzit të shkojnë komisionerë, kurse administrata do ta kishte si një detyrë tjetër, gjë që PD e ka pranuar për zgjedhjet e ardhshme. Në fund të fundit unë thashë që nuk është më e mira e mundshme që ne donim, si Shqipëri, jo si mazhorancë, sepse si mazhoranca ishte komode, ne nuk kishim problem me mënyrën e menaxhimit të zgjedhjeve, nuk ishte problemi ynë politik. Ne ishim me këtë sistem, fituam zgjedhjet, menaxhuam zgjedhjet, pra nuk kishim problem me administrimin e zgjedhjeve. PD ka pasur një pretendim, nuk ishin gati, ne nuk donim që PD të kundërshtonte me çdo kusht këtë ligj zgjedhor dhe pse jo të shërbente nesër si një sebep për të mos njohur zgjedhjet apo dhe më keq mos të hynte në zgjedhje. Nuk e duam këtë, ne e duam pluralizimin politik përtej akuzave që bëhen se mazhoranca do të kapë çdo pushtet, përkundrazi ne sakrifikuam edhe rekomandime të rëndësishme të ODIHR, vetëm e vetëm që PD të hyjë në garë politike. Kjo është çka u arrit, kjo është gjëja më e rëndësishme që u arrit, kemi konsensus që do të kemi garë të ndershme dhe të barabartë politike, kjo është ajo çka fituan shqiptarët dhe këtë presin dhe partnerët ndërkombëtarë nga ne.
Faleminderit!
(BalkanWeb)