Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur sot në lidhje me rastin e zbuluar dje të shefit të postës së policisë së Fushë-Arrëzit Izmir Duraku i cili u arrestua nga SHÇBA pas denoncimit të një vajze se ishte përdhunuar nga ai.
Nga inspektimi në doganën e Hanit të Hotit, Lleshaj e cilësoi si gjest të ulët ngjarjen e abuzimit seksual, i cili në vitin 2015 kur ndodhi ngjarja e dyshuar ka qenë inspektor në policinë e Shkodrës.
Ministri Lleshaj tha se duhet që të kemi një qasje tjetër për policinë pas këtyre rasteve. “Ka ardhur koha për të rishikuar në thelb qasjen tonë në drejtim të mbrojtjes së viktimave të dhunës seksuale, kryesisht të fëmijëve, duke shtuar penalitetet në tërësi dhe duke çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët, pasi në shpesh raste dëmet dhe gjëma na ka ardhur prej rojeve, kujdestarëve, atyre që zëvendësojnë prindërit”.
“Është një ngjarje që ka marrë vëmendjen e menjëhershme të strukturave të Ministrisë së Brendshme. Dje në darkë është bërë ndalimi i shefit të postës së Policisë. Është vepruar shpejt për të goditur shumë fort. Ne jemi shumë vigjilent dhe të gatshëm për të goditur duke i shkuar ligjit deri në fund. Është për të ardhur keq që rojet, ata që janë caktuar për të ruajtur interesat e qytetarëve, jo rrallë herë bëhen agresorë të tyre”, tha Lleshaj.
Ai tha se bëhet fjalë për një ngjarje fillimisht të vitit 2015, ku një vajzë ka rënë pre e dhunës seksuale nga edukatorët e saj në shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, por më vonë ka rënë pre edhe e një sjellje të ulët, pa dinjitet, kriminale dhe të papranueshme të një punonjësi policie që do të duhet të mbrohet para ligjit.
“Nuk është thjesht çështje e ligjit, masave penale, por sensibilizimit shoqëror. Duhet të reflektojmë thellë si shoqëri për t’u distancuar ndaj këtyre rasteve, që kjo kategori që nuk e meritojnë edhe emrin e njeriut, që të kufizohet, izolohet dhe të bëhet e padëmshme. Për rastin që flasim nuk besoj që kemi nga 2015-18 ndonjë dinamikë tjetër. Kemi reaguar pas sinjalit të parë, nuk i dimë detajet. Do të duhet të kërkojmë detajet dhe të marrim masat”, tha Lleshaj.
Ministri tha se “ne duhet dhe do të marrim masa të forta ndaj atyre që kanë detyrën e shenjtë të kujdesit ndaj këtyre njerëzve , pasi rreziku shpesh herë vjen nga ata që janë caktuar për të bërë rojen, kujdestarin, prindin”.
I pyetur mbi rivendosjen e dënimit me vdekje, Lleshaj tha se “kjo është një çështje e stërdiskutuar”. “Dënimi me vdekje në Shqipëri është ‘i vdekur’, i pakthyeshëm, sepse nuk është ky mekanizmi. Mekanizmi është parandalimi, sensibilizimi, dënimi i merituar, por vdekja nuk është zgjidhje. Shtetet në Europë kanë adoptuar prej kohësh formulën, që shteti nuk kthehet në krye kriminelin më të madh për të vrarë”, tha ai.
Lleshaj tha se “po punojmë intensivisht për të zhvilluar një instrument të ri për të trajtuar këtë fenomen të dhunës në familje dhe dhunës ndaj të miturve dhe këtë për të gjetur rrugë të reja për të ndërtuar struktura që do të bëjnë bashkë energjitë e shumë aktorëve, policisë, shkollës, shëndetësisë, institucioneve të kujdesit social, shoqërisë civile dhe besoj se shpejt do të kemi zhvillime të reja për krijimin e instrumenteve të reja”.
“Por e rëndësishme është krijimi i klimës së lirisë për denoncuar. Bëj thirrje edhe medias, mos ta cenojë këtë liri për të denoncimit, pasi njerëzit i druhen denoncimit edhe për shkak të mediatizimit të gjerë të rasteve, viktimat reale hezitojnë se i druhen mediatizimit. I kam ndjekur me trishtim lajmet e pafundme ditët e fundit për një rast prostitucioni, ku pasqyrohen të gjitha dialogjet në media nga dosja e prokurorisë me një precizion pervers. Është shumë e rëndësishme që media të ruajë nga publiciteti rastet dhe detajet se kështu i frenojmë viktimat për të denoncuar. Ne duhet t’i inkurajojmë që të bëhet denoncimi. Pa denoncim nuk ka reagim”, tha ai.