Kamera e ‘News24’ ka udhëtuar drejt Elbasanit, në vendin ku ndodhi plagosja e Ardian Çapjas, një prej anëtarëve të fisit të njohur që ka shkaktuar jo pak përplasje. Gazetarja Klodiana Lala teksa ka bërë një përmbledhje live të krimit në fjalë, që ndodhi në lagjen “Emin Matraxhiu”, theksoi se bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar. Po ashtu Lala bëri të ditur dhe dinamikën se si rrodhi ngjarja, duke shtuar dhe faktin se pranë banesës së Ardian Çapjat nuk ka asnjë makinë policie.
“Ardian Çapja është një personazhi i njohur për drejtësinë, të cilit i është bërë një atentat i mirëorgnaizuar. Ai ndodhej në banesën e tij dhe në një moment ai ka dalë në pjesën e pasme të saj, në rrugën mbrapa shtëpisë. Kur është larguar rreth 50 metra, është qëlluar me një armë tip snajper. Ai ka marrë një plumb në shpatull. Kur ishte paraqitur në spital, ai ka deklaruar se ishte rrëzuar në shtëpi. Por mjekët konstatuan se ishte qëlluar me armë. Atentatorët janë larguar me automjet, në Fushë-Mbret.”, raportoi Lala.
Po ashtu gazetarja tha se thuajse e gjithë lagja ku jeton fisi Çapja është e monitoruar nga kamerat e sigurisë, të cilat janë vendosur nga kjo familje.
“Kjo zonë është e monitoruar. Në çdo shtyllë elektrike, janë të vendosura kamera me rezolucion të lartë. Kjo ka ndodhur pasi prej vitesh kjo familje ka qenë pjesë e sulmeve.”, tha gazetarja. Lala mes të tjerash deklaroi se familja Çapja ishte shprehur e indinjuar për punën e deritanishme të Policisë së Shtetit, madje nuk i kursyen akuzat në drejtim të tyre. Sipas Çapjave, pas ngjarjeve që lidhen me familjen e tyre fshihen banda të veshura me uniformë policie.
Ndërkohë, për ngjarjen janë shoqëruar disa persona, kryesisht kontingjent kriminal në Elbasan, ndërsa zona ku ka hotelin familja Çapja ruhet nga antiblindat. Kujtojmë se 3 muaj më parë OFL i dërgoi Ardian Çapjas, formularin e deklarimit të pasurisë.
(BalkanWeb)