Sekretari i Marrëdhënieve me Mediat në Partinë Socialiste, Alfred Peza, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se PS nuk ka kërkuar dhe nuk ka premtuar ndryshim të sistemit zgjedhor.

Sipas Pezës, PS është e qartë se fitoren ose humbjen në zgjedhje nuk e bën sistemi, megjithatë nuk është kundër nëse palët politike kërkojnë ta diskutojnë në tryezë.

“Ka një qasje të përgjithshme në Shqipëri sikur ky rregulli 8 vite në pushtet është i vendosur. Kjo nuk është e vërtetë, që mazhoranca do qëndrojë 8 vite në pushtet, dhe pastaj do vijë opozita. Nga ’97-ta deri më sot ka ndodhur ky rrotacioni i “mazhorancave spanjolle”, siç e quante Fatos Nano. Ky nuk është një rregull kushtetues dhe që e bën PS të bëjë mëkat, nëse kërkon të marrë mandatin e tretë.

Sa i përket kësaj qasjeje, dua të kujtoj se të paktën në tre vitet e fundit, duke filluar që nga çadra, ka qenë Lulzim Basha, ai që e ka pas një premtim publik ndryshimin e sistemit në Shqipëri. Në gjithë këtë diskurs publik të liderit të opozitës, kuptohet që barra e përgjegjësisë i bie atij që e ka marrë përsipër. Është e vërtetë që nuk është mbyllur 100% çështja e sistemit, por PS ka qenë e qartë, nuk e ka kërkuar, nuk e ka premtuar dhe nuk ia ka firmosur dikujt publikisht.

Për PS është e qartë se fitoren ose humbjen në zgjedhje nuk e bën sistemi. PS nuk e ka premtuar dhe nuk është kundër, nëse palët politike në tryezë vijnë e kërkojnë dhe e diskutojnë. Por, deri më tani nuk është kërkuar në tryezë. PS vijon të besojë se kjo reformë zgjedhore do të bëhet me konsensus maksimal”, u shpreh Peza.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb