Gjin Gjoni një prej emrave të anatemuar nga maxhoranca dhe ndërkombëtarët, të cilët kanë ngritur dyshime të forta rreth tij, largohet nga sistemi i drejtësisë. Më 17 korrik 2020, ai i paraqiti këshilit të lartë gjyqësor kërkesën për dorëgheqjen e parevokueshme nga detyra e gjyqtarit të Apelit të Tiranës.
Në letrën dërguar qeverisë së gjyqësorit, Gjin Gjoni thotë se përgjatë 27 viteve karrierë në drejtësi nuk iu është nënshtruar presioneve të kriminelëve apo njerëzve të veshur me pushtet. Ai hedh akuza të forta ndaj institucioneve të vettingut, të cilat sipas tij po hedhin në rrugë gjyqtarë e prokurorë, që nuk u bënë shërbëtorë të pushtetit.
“Prej kohësh sistemi i drejtësisë është në kolaps, lëvizjet dhe sita e vettingut, nuk ka të njëjtat parametra dhe as kritere të barabarta për të gjithë, nëse je shërbetor i politikës, nëse vulos e firmos pa menduar e lexuar, pa iu iu nënshtruar ligjit e Kushtetutës, e kalon. Nëse je shpallur më parë, armik i partisë, nuk shihesh me sy të mirë dhe përfundon në rrugë. Shumë kolegë të nderuar, nuk i janë nënshtruar në mënyrë të barabartë ligjit, shumë kolegë që kanë dënuar eksponentë të krimit të organizyua janë flakur nga sistemi, vetëm sepse nuk i do partia, ndërkohë që shumë të tjerë kanë kaluar pavarësisht paligjshmërisë së akumuluar sa një mal në ushtrimin e funksionit të tyre si gjyqtar”.
Gjyqtari Gjoni se përgjatë shtatë viteve të fundit i është dashur të përballojë sulme politike të paskrrupullta në adresë të tij dhe familjes, që sikurse thotë i drejtoshin vetëm sepse nuk pranoi t’i nënshtrohej pushtetit.
“Sulmeve politike nuk i jam përgjigjur, sepse kam zgjedhur të bëj rolin gjyqtarit dhe të flas me vendime dhe jo më fjalë. E vetmja mënyrë që ka mbetur për t’i shërbyer publikut është të dorëhiqem dhe të përballem në mbrojtje të interesit publik duke qenë në ballë të luftës për drejtësi. Për këto arsye, kërkoj dorëheqjen e parevokueshme nga statusi i gjyqtarit dhe njëkohësisht edhe gjyqtarit të Apelit Tiranë”.
Kërkesa e tij pritet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Me largimin si gjykatës në Apel, Gjin Gjoni largohet edhe si anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
(BalkanWeb)