Covid-19 është futur edhe mes personelit të punonjëseve në filalet e bankave. Një punonjëse që shërben në një nga sportelet e filialit të një banke të nivelit të dytë në qytetin e Kuçovës ka rezultuar sot pozitive.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Berat, që konfirmojnë se, pasi mbërriti testi pozitiv i punonjëses së bankës, është kryer menjëherë dezinfektimi i ambienteve të këtij filiali dhe është bërë mbyllja e tij për një afat dy javor.

Fakti që punonjësja e bankës ka qenë në punë deri dy ditë më parë, kur shfaqi simptomat e para të infektimit, ka shtuar frikën dhe panikun mes kolegëve të saj, që janë në pritje të kryerjes së tamponit. Frika është shtuar edhe tek qytetarët, që ditët e fundit kanë kryer shërbime në sportelin ku ndodhej e infektuara, ndërkohë që mësohet se gjendja shëndetësore e saj është e mirë.

Edhe pse konfirmojnë rastin pozitiv të punonjëses së filialit të bankës në qytetin e Kuçovës, rast që u zbulua fillimisht nga mbyllja dhe dezinfektimi që po kryhej në këtë filial banke, drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Berat nuk bëjnë me dije asnjë shifër tjetër të të infektuarve për ditën e sotme në qarkun e Beratit.

Deri tani numri i rasteve pozitive dhe që vijojnë të jenë ende aktivë në qarkun e Beratit ka shkuar në 48,por nga institucionet shëndetësore dhe mjekët epidemiologë nuk jepet asnjë informacion se si është gjendja e të infektuarve dhe sa prej tyre janë përmirësuar apo kanë shfaqur komplikacione.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb