Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile iu është drejtuar sot me dy shkresa respektive 61 bashkive, 12 prefekteve dhe Policisë së Shtetit lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Sipas shkresës së AKMC, të bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes, thuhet se sipas të dhënave paraprake, kjo periudhë është problematike për zjarrvënien e qëllimshme për marrjen e masave për përballimin e zjarreve.
“Zjarret kanë krijuar situata emergjente, duhet bashkërendim dhe koordinim strukturash”, thuhet në shkresën e AKMC.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje bashkive që të marrin masa të plota për parandalimin dhe minimizimin e dëmeve nga zjarret. AKMC i kërkon prefektëve të përdorin të gjitha kapacitetet operacionale në nivel qarku.
“Pushteti vendor të japë informacion në kohë reale për shfaqjen e vatrave të zjarri. Bashkitë të zhvillojnë trajnime detyruese për punonjësit për situatat e zjarreve. Bashkitë të mbajnë në gatishmëri dhe të përdorin të gjitha kapacitetet zjarrfikëse. Në bazë të ligjit, bashkitë, vullnetarët dhe vetë qytetarët, janë kapacitetet për shuarjen e vatrave të zjarrit”, thuhet më tej në shkresë.
AKMC i është drejtuar edhe Policisë së Shtetit, duke thënë se është nevojë emergjente vënia para përgjegjësisë e zjarrvënësve.
“Të merren masa për zbulimin e autorëve të zjarreve, qofshin ato me dashje apo dhe nga pakujdesia. Zjarrvënësit të ndëshkohen sipas përcaktimeve të Kodit Penal. Zbulimi i autorëve ul numrin dhe madhësinë e zjarreve. Ndëshkimi i autorëve ndërgjegjëson qytetarët se zjarrëvenia është krim. Koordinim me pushtetin lokal dhe kryepleqtë për identifikimin e autorëve. Të ndiqen me prioritet zjarrvëniet duke informuar publikun për autorët e tyre”, përfundon shkresa.
(BalkanWeb)