Igli Gjelishti ka reaguar pas akzuave të Partisë Demokratike se ka marrë nga qeveria tender fiktiv me vlerë 2.5 milionë euro për kompaninë e tij Image & Communications Development (Agjensia Kombëtare e Sigurisë së Informacionit-AKSHI).
Në një reagim të gjatë, Gjelishti hedh poshtë akuzat e bëra nga ish-deputeti Endri Hasa, duke i paraqitur sipas tij, faktet e tenderave të përfituar.
Reagimi i plotë i Igli Gjelishtit:
6 pergenjeshtrime dhe 2 pyetje per Z. Hasa
Dikur, kur unë mund të kisha ndonjë dëshire/ambicie, per t’u marrë me politikë, më erdhen nja 2-3 here mesazhe të tipit ‘kujdes se i ke prindërit në punë shteti’, e unë heshta. U përqëndrova te profesioni që sapo kisha nisur e vendosa që ajo do ishte rruga ime.
Sot, që une kam arritur profesionalisht të jem në pjesën e sipërme të renditjes, politika ka vendosur të merret me mua. Sot, fatmirësisht prindërit e mi janë pak ditë larg pensionit, e unë s’jam më i shantazhueshëm si dikur, por dëshira/ambicia për t’u marrë me politikë ka mbëtur në vitet e adoleshencës e nuk e di a do kthehet më ndonjëherë.
Por meqë për opozitën në këtë fund vere pa shumë ngjarje, emri im u bë kalë beteje për të goditur qeverinë, e kam detyrim ndaj vetes, familjes sime, 24 personave që punojnë për mua e që japin gjithçka në aspektin profesional e njerëzor për të bërë më të mirën e atyre projekteve që marrim, por edhe ndaj gjithë biznesit të ndershëm të këtij vendi që mund të jetë kështu papritur protagonist i betejave që nuk i përkasin duke marrë baltë e shpifje, të tregoj të vërtetat e mia e të ballafaqohem publikisht dhe para drejtësisë, me keto linçime politike e mediatike e pa asnjë fije prove.
Prej 2 javësh, në fillim me artikuj rutinë të portaleve që shohin gjithë ditën njoftimet e APP-së për fituesit e tenderave, më pas nëpërmjet doktor Berishës që qytetari dixhital ia kishte zbukuruar historinë dhe ia kishte bërë joshëse duke i përmendur lidhjet e mia profesionale e miqësore me nje botues që i prish gjumin opozitës me gjetjet e veta, e së fundmi me dy dalje të dedikuara të ekspertit të PD-së për teknologjinë e informacionit, jam shndërruar në tabelë qitjeje të një partie që pretendon të qeverisë vendin nesër, por fatkeqsisht ka mbetur akoma te ekzekutimet pa gjyq.
Në deklaraten e ditës së premte Z. Hasa ka deklaruar se kompania ime ka perfituar ne 1 muaj e gjysme, 2.5 miliardë lekë tendera nga AKSHI. Të gjitha afër fondit limit dhe pa konkurrencë.
– Gënjeshtra e parë: “Te gjitha afër fondit limit”
Nga 3 procedura: E para eshte fituar me vlere 89,900,000 nga fondi limit 98,444,667. 91.3% e fondit limit, ose 8,544,667 lekë me pak.
E dyta është fituar me vlerë 43,148,900 nga fondi limit 46,900,000. 92% e fondit limit, ose 3,751,100 lekë më pak.
E treta është fituar me vlerë 99,891,000 nga fondi limit 106,200,000. 94.1% e fondit limit, ose 6,219,000 lekë me pak. Gjithsesi, e përsëris që këtu unë kam pasur vetem 20% të kontratës dhe vendimmarrja ime ka qënë shumë e limituar.
Po përdor tabelen e përgatitur nga vetë ju për të demostruar shifrat:
Nëse 91.3%, 92% dhe 94% jane pranë fondit limit apo jo, dhe nëse kjo është apo jo shkelje, do te merrem pak më poshtë.
– Genjeshtra e dytë: Keni deklaruar se i kam fituar pa konkurrencë
Ne procedurën e parë, kanë qënë dy kompani pjesëmarrëse, e dyta me vlerë 8,543,000 lekë më të lartë se imja.
Në proceduren e dytë, kanë qenë dy kompani pjesëmarrëse, e dyta me vlerë 3,271,100 më të lartë se imja.
Në proceduren e tretë, po, është e vërtetë që ka qënë vetem një ofertë, nga një kompani që mbulon 80% të kontratës dhe nga kompania ime me 20%. Sipas një ndryshimi ligjor të bërë në mandatin e dyte te qeverisë suaj, procedurat më një ofertë të vlefshme, janë të rregullta.
Me ndjeni por, çfare nënkupton partia juaj me konkurrencë? Duhet te vritemi me armë dhe jo të konkurrojmë me oferta financiare e teknike?
Gënjeshtra e tretë: 5 miliard lekë në 1 muaj e gjysmë
E kuptpj qe e keni shume te veshtire ta besoni qe ne kontraten e tretë kompania ime nga vetem 20%, pra 19,978,200 lekë, keshtu që po jua vërtetoj me një kopje të pjesës së kontratës ku flitet për ndarjen e punës. Kështu që totali i tre kontratave të fituara nga kompania ime, është 153 milionë dhe jo 250! Tani, nësë një shifre detyroheni t’i shtoni 97 milionë ose 63% për ta bërë skandal, i bie që të jetë goxha larg të qënit skandal…
Pse jane 3 kontrata në kaq pak kohe? Mbase sepse që prej termetit të 26 nentorit, i cili u pasua në shume pak kohë nga pandemia, çdo gje ka qënë e bllokuar e tani po rekuperohet koha e humbur për projektet dixhitale. Po të kërkosh, gjen edhe një të katërt ku unë kam marre pjesë e kam humbur, e nja 10 të tjera ku unë s’kam marrë pjesë fare se nuk kam pasur kualifikimet e nevojshme ose s’kam pasur interes (më së shumti kjo e dyta, ndryshe nga ju, unë nuk mendoj që është mirë që një kompani të fitojë 50 apo 60% të procedruave, por edhe kësaj do i rikthehem më poshtë).
Së treti, e këtë s’e kam për ju për për këdo që duke ju degjuar ju, mund të shasisteset se si një kompani mund të marrë kaq shumë lekë për një muaj: keto nuk jane projekte që paguhen menjëherë. I pari ka një pjesë implementim dhe 4 vjet mirëmbajtje, i dyti 2 vjet mirëmbajtje dhe i treti 1 vit shërbim. Mirëmbajtjet dhe shërbimet paguhen muaj pas muaji. Në tabelen në vijim tregohet se si këto para do shpërndahen në 5 vitet në vijim.
Genjeshtra e katert: Gjobat e policisë akoma me letër
Në deklaratën e sotme, keni aluduar që pavarësisht kontratës për gjobat elektronike të policisë se shtetit, të implementuar pjesërisht nga kompania ime në vitin 2018, policët vazhdojnë të përdorin bllok. Për kete gënjeshter më duhet të përpiqem më pak se për të tjerat për ta përgenjeshtruar, sepse të gjithë i kanë parasysh policët me tableta në dorë e printer në brez, që gjobën ta japin të printuar e jo me bllokun e zakonshëm.
Sigurisht qe mund te kete akoma policë me blloqe sepse projekti i vitit 2018 kishte një numër të limituar prej 250 pajisjesh, por ato 250 që janë prokuruar janë dorëzuar një më një, e kanë qënë çdo dite funksionale, e këtë do jem shumë i lumtur ta faktoj para gjykatës.
Keni pyetur po ashtu se çfare lidhje ka kompania ime me e-Albanian, qe ka marrë kontratë mirëmbajtjeje për shërbimet.
Nëse nuk do kishit preferuar një ekzekutim pa gjyq, por do kishit bërë një kërkim minimal, do kishit parë në ëebsite-n e kompanisë sime që ne jemi të angazhuar me e-albanian që në vitin 2014. Si? Nëpermjet një mekanizimi shumë të ligjshëm, siç është nënkontraktimi. Kemi qënë aty që ditën e parë kur u konceptua portali i ri e-Albania, i cili ndryshe nga ai që kishit lënë ju si ish-drejtor i AKSHI-t, solli ndryshime rrenjesore në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët. Ju përseris, me një kërkim të thjeshtë do e kishit gjetur në ëebsite-n e kompanisë kete informacion. As e fshehim, as bëjme sikur s’është e vërtetë, përkundrazi, mburremi me këte e me të gjithë projektet që kemi bërë, e që kanë kontribuuar që Shqipëria të bëhet një lider në rajon për qeverisjen elektronike.
Ne lidhje me kontratën e vizitave te mjekut të famlijes, nëse vërtet jeni i interesuar për të vërtetën, interesohuni për proceset që kryen, ssa përdorues ka, çfarë infrastrukture, sa qindra raporte gjeneron e sa para do i kursejë buxhetit të shtetit informacioni që ky sistem gjeneron për mirëmenaxhimin sistemit parësor shëndetësor.
Të njëjtën gjë ju kërkoj edhe për sistemin e inspektoreve tatimorë, ndonese edhe njëhere, unë aty kam vetëm 20%, një komponente të vetme, e nuk mburrem dot me rezultatet që do sjellë ai sistem që e kuptoj që ju ka shqetesur jashtë mase.
Genjeshtra e pestë: 10 milione lekë në ditë për 2 vjet
Ju gënjeni edhe kur flisni për shumat e fituara nga kompania ime. Sipas llogarisë suaj, unë fitoj 10 milionë lekë në dite. Sa mirë do ishte…
Së pari ju thoni 7.5 miliardë në 2 vjet, por në fakt tregoni procedurat e 3 viteve. Gjithashtu ju e shihni shumë mirë që disa nga ato procedura janë bashkim operatorësh, por ju i llogarisni të gjitha si para të fituara ose më mirë vjedhura nga unë. Ju e dini shumë mirë si ekspert i fushes, që ato kontrata kanë pajisje e licenca brenda që kushtojne ndonjehere më shumë se 50% e vlerës së kontratës, e po ashtu e dini siç thashë më sipër, edhe që çdo kontratë ka brenda 4 vjet mirëmbajtje. Ju e dini po ashtu shumë mire, që fondet limit s’i percakton dot një operator i vetem, por i cakton tregu.
Genjeshtra e gjashtë: Bilancet e munguara dhe kompania pa fitim deri në 2015
Vitin e parë pas themelimit, në 2010, kompania kishte një xhiro nën 2,000,000 lekë, dhe nuk kishte detyrim te bënte bilanc. Por pa fitim në vitet e para kane qëne edhe Microsoft e Facebook, e s’e kuptoj dot c’argument është ky. Megjithatë, në vitin e dytë, ndonëse unë asokohe isha vetëm 27 vjeç e punoja krejt i vetëm, arrita të gjeneroj 7 milionë lekë të reja (ndërkohë që drejtor i AKSHI-t ishte pikërisht Z. Hasa) dhe bilacin e ketij viti e keni aty, boll ta kerkoni. E po ta kerkonit do e gjenit e nuk do gënjenit në menyre të turpshme që une s’kam deklaruar fitim deri në vitin 2015:
Ja ku është, bilanci i marrë nga QKB, ku unë deklaroj 3,519,599 lekë fitim në vitin 2011. Është publik, i aksesueshem nga të gjithë përveç atij që vendos të behet gjykatësi im pa gjyq.
Enigma e madhe: Kush fshihet pas meje?
Në deklaratën e sotme, duke ju marrë pak goja, dhe për këtë e kuptoj, se në fund të fundit për një njeri me profil teknik të godasë me gënjeshtra një njeri tjetër me profil teknik, nuk është e lehtë (e kuptoj që do kishte preferuar 1000 herë më mirë të me godiste me vezë), Z. Hasa përmendi 4 herë emrin tim, duke kërkuar me tone gjysmë dramatike e gjysmë humoristike, të dije kush fshihet pas meje.
Z. Hasa! Pas meje fshihen 24 profesionistë, nga më të certifikuarit e specializuarit në tregun shqiptar të IT-së, që këto vite i kanë dhënë jetë disa prej projekteve më të suksesshme në Shqipëri. Që te e-Albania, te gjobat e policisë (të cilat ju deri dje nuk e dinit farë që i kam bërë unë, jo se sistemi s’punon, por se sistemi punon shkëlqyeshem e s’ështeë ankuar njeri për të), te sistemi i vizitave të mjekut të familjes që po krijon një arkivë të paçmueshme të historikut shëndetësor të qytetarëve, e deri te sistemi i shkëmbimit të informacionit bankar që jemi duke bërë sot. Janë certifikimet e këtyre 24 personave, që na i bëjnë kaq të lehtë të fitojme procedura, sepse, sipas standarteve që keni vendosur ju dhe qeveria juaj, procedurat në këtë sektor fitohen me certifikata profesionale.
Pas meje qëndron e nuk fshihet fare, eksperienca ime 20 vjeçare në këtë fushë. Kam nisur punë që 17 vjeç në median më të madhe në vend, ku vlerësohej vetëm talenti e dëshira për punë. Punova aty plot 15 vjet. Paralel me të, në vitin 2010 krijova kompaninë së cilës ti sot po i hedh vrer pa asnjë të drejtë. E krijova atëherë sepse paralelisht bëja punë private, e nuk doja të paguhesha në të zezë.
Në vitin 2014, kur po ndërtohej portali i ri, kërkohej një ekspertizë për teknologjitë më të reja ëeb, e modestisht isha ndër më të miret në treg për atë gjë, e keshtu filloi rritja e kompanisë sime. Sot kemi një nga personelet më të kualifikuara në treg e kjo na bën të jemi konkurrues. Do vazhdojmë të bëjmë këtë punë deri sa të dime ta bëjme e një gjykatë të mos na thotë që kemi bërë një shkelje gjatë rrugës. Deri atehëre, do mësohemi që veç tenderave të fitojmë edhe gjyqe kundër atyre që na hedhin baltë kur jemi duke bërë punen tonë, në të drejtën tonë.
Ndërkohe, sigurisht Z. Hasa, ti mund të vazhdosh të kërkosh kush fshihet pas meje. Do lodhesh kot, se s’do gjesh dot asnjeri qe të ketë diçka në dorë në procedurat që unë kam fituar. Asnjë njeri në konflikt interesi, asnje njeri me të shkuar kriminale, asnjë njeri të dënuar për vjedhje apo zhvatje, asnjë njeri që në procesin e të pasuruarit ka shkaktuar viktima apo mjerim.
Tani, për mbyllje, megjithese unë s’e kam qejf t’i kaloj gjërat në personale, por ju sot e kaluat ne personale sa më s’ka duke më quajtur zhvatës, hajdut, kompani fasade, e nuk di cfare se s’ma ben zemra ta degjoj për së dyti atë shfaqje të shëmtuar, më lejoni t’ju bëj edhe unë dy pyetje:
Pyetja 1: Sa procedura mund të fitojë një kompani deri te ekzekutimi pa gjyq?
Duke hulumtuar procedurat e prokurimeve publike për 3 vitet kur ju keni qënë drejtor i AKSHI-t, gjeta procedurat e mëposhtme me vlerë mbi 10,000,000 lekë:
Duke qënë se une s’e kam zakon t’i përmend emrin të tjerëve për interesat e mia, i mbulova emrat e kompanive. Me ‘Kompania 1’ kam shënuar një kompani që ka fituar 14 nga 23 procedura, ose 61% te tenderave të medha qe ju keni prokuruar në 3 vite (në 3 vite une te AKSHI kam fituar 6 gjithsej, ndonëse sot AKSHI bën një numër shume më të lartë procedurash se sa në kohën tuaj). Ju ka akuzuar njeri per kete asokohe? Po kompaninë në fjalë e masakroi njeri publikisht apo privatisht? Une s’e mbaj mend, dhe sa mirë që është keshtu, per sa kohe s’eshte zbuluar asnje parregullsi. Por ju duhet te vendosni cilen do quani skandal, 14 tendera nga 23 së njejtës kompani në tre vjet me firmën tuaj, apo 6 në tre vjet sic ka fituar kompania ime?
Pyetja 2: Sa lejohet t’i afrohesh fondit limit?
Sic shihet nga tabela e mësiperme, 11 nga 23 procedurat tuaja, kanë vlerë më të lartë se 95% e fondit limit. Për ju, vlerat e mia, 91.3%, 92% dhe 94% janë skandalozisht të larta. Çfare duhet të themi për vlerat e kontratave qe keni firmosur ju Z. Hasa? Unë them përsëri që janë normale, për sa kohë e pranon ligji dhe nuk ka asnje ankimim kundër tyre, por përsëri ju duhet të zgjidhni një anë: a do jeni kundër meje, apo kundër vetes suaj para 8 vjetesh? Apo do pranoni hipokrizine? Ne kete rast, ju jap fjalen qe do terhiqem nga çdo iniciativë për të vënë drejtësinë në vend, dhe do ju jap dorën.