Operatorët turistikë në Vlorë i kërkojnë kryeministrit Edi Rama të lehtësojë procedurat për punësimin e shtetasve të huaj për të përmbushur nevojat e tyre për staf.
Ata shprehen në kërkesën e tyre se edhe pse ka kaluar pjesa e pikut të sezonit turistik ende një pjesë e konsiderueshme është duke kërkuar staf për të përmbushur nevojat për punonjës të kualifikuar. Sipas tyre, me gjithë bashkëpunimin me zyrat e punësimit, oferta është më e ulët se kërkesa.
“Pavarësisht situatës së koronavirusit ky sezon turistik tregoi sërish problemet me të cilat përballet sektori turistik! Mes tyre edhe mungesa e tregut të kualifikuar të punës. Ndaj, ne operatorët turistik kërkojmë krijimin e kushteve të përshtatshme për rekrutimin e punonjësve të huaj të trajnuar dhe kualifikuar! Edhe pse ka kaluar pjesa e pikut të sezonit turistik ende një pjesë e konsiderueshme e jona është duke kërkuar staf për të përmbushur nevojat. Pavarësisht bashkëpunimit tonë me zyrat rajonale të punësimit oferta është më e ulët se kërkesa ndaj do të ishte e udhës lehtësimi i procedurave për punësimin e shtetasve të huaj nga vende të rajonit dhe jo vetëm”, deklarojnë ata.
Operatorët turistikë theksojnë se nëse nuk zgjidhet ky ngërç për ne është e pamundur të ngremë në standardet e duhura shërbimin.