Nga Aurenc Bebja, Francë- 10 Tetor 2020
“L’Univers israélite” ka botuar, me 20 mars 1914, në faqen n°11, një shkrim në lidhje me hebrenjtë e Vlorës.
“Shqipëria, kaq në modë tani, kishte të paktën një komunitet hebre në shekullin e XV-të, atë të Vlorës. Rabini dhe filozofi Messer (Zoti) David Leon (David ben Judah Messer Leon) shërbeu si rabin atje me një pagë vjetore prej 70 florinjsh, pak më pak se buxheti vjetor për Princ Vidin.
Hebrenjtë e Vlorës, të cilët ishin të ndarë në portugezë, kastilianë dhe katalanas, nuk munguan të grindeshin me njëri-tjetrin, pa dyshim nën ndikimin e rrethanave. David Messer Leon u rreshtua në krah të hebrenjve portugezë të cilët, tha ai, “janë gjaknxehtë, por nga ana tjetër të bindur, të sinqertë dhe zemërgjerë dhe jo dredharakë dhe mëndjemëdhenj si kastilianët”.
Sot, nuk duket se ka ende hebrenj në Shqipëri. Fatmirësisht, nëse çështja shqiptare do të komplikohej më tej se çështja hebreje!”
Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania