Shoqëria “Turgut Ozal Education” sh.a, po hetohet për veprën penale të pastrimit të parave. News 24 ka mësuar se pak ditë më parë, policia e ka referuar çështjen në prokurorinë e Tiranës.
Burimet të policisë konfirmuan se nga hetimet ka dyshime se shoqëria në fjalë, e cila operon prej vitesh në Shqipëri në fushën e edukimit të ketë kryer pastrim të produkteve të veprës penale.
Gjatë ditëve të fundit, policia ka ushtruar kontroll në ambjentet e shoqërisë në autostradë, ndërsa janë marrë në pyetje disa nga zyrtarët e këtij institucioni privat arsimor.
Edhe pse burimet janë të rezervuara, gazetarja e News 24, Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se ka mësuar që policia ka dyshime se kompania me të ardhurat që operon në fushën e mësimdhënies, nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e disa pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Konkretisht është referuar si i dyshuar njëri nga administratorët e kompanisë, Blendar Dyrmishi.
Përgjatë ditëve të fundit, i gjithë dokumentacioni i kësaj shoqërie është verifikuar nga institucionet tatimore në vend. Institucioni arsimor privat që operon në Shqipëri prej vitit 2001, ndryshoi pronar tri vite më parë.
Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të biznesit, rezulton se blerësi është BF Cooperatief U.A, një kompani e regjistruar pranë Dhomës Tregtare të Amsterdamit. Vlera e shitjes rezulton rreth 10 milionë dollar. Aksionerët që kanë shitur kuotat janë shtetasit turk Rahmi Tozduman, Davut Hancioglu, Adnan Hosoglu.
(BalkanWeb)