Ish-deputeti socialist, Dashamir Peza, i cili në vitin 1998 ishte i vetmi shqiptar që pa nga afër një masakër të serbëve të kryer në Krushë, së bashku me grupin e BBC që shoqëronte si përkthyes, që kishte ardhur në Kukës për të gjetur prova mbi atë që po ndodhte në Kosovë.

Në një rrëfim ekskluziv për drejtorin e informacionit në News24, Robert Rakipllari, ish-deputeti Peza rrëfeu se ai dhe grupi i BBC kishin marrë një kasetë, që tregonte masakrën e tmerrshme serbe në Krushë. Sipas tij, në kasetë ishin pamje të tmerrshme, të cilat ai nuk kishte mundur dot t’i shihte të plota.

“Më 1998 kam qenë me grupin e BBC në Kukës për të ndjekur të gjithë atë ngjarje, që ne e kemi të qartë tashmë, ardhjen masive të refugjatëve që vinin nga Kosova përmes kufirit të Kukësit, që vinte si rezultat i dhunës së tmerrshme nga serbët. Në një nga këto ditë ne kemi qenë në kufi bashkë me trupën e BBC. Unë kam luajtur rolin e përkthyesit, nuk kam pasur detyrë të vecantë. Në një nga ato netë na ofrohet një person, që nuk e njihja më parë, që na thotë se ka një kasetë, ku ka filmuar një masakër që ka ndodhur në Krushë të Madhe nga serbët. E pyetëm personin se kush e ka kasetën, dhe na tha se nuk e ka ai vetë, pasi kishte frikë mos e kontrollinin në kufi, por ja kishte dhënë nënës. Të nesërmen ka ardhur personi, bashkë me kasetën. E kemi pritur me shumë emocion, pa diskutim, e gjithë trupa. Të gjithë ishim të vetëdijshëm për atë që po ndodhte në Kosovë, por ende nuk kishim një provë të vetme për ta vërtetuar.

Ka sjellë kasetën, e cila ishte një mini-kasetë e vogël dhe ishte shumë e vështirë për të gjetur një pajisje për ta trasnemtuar. Duke kërkuar në gjithë Kukësin, në fund iu drejtuam televizionit në Kukës, ku mundëm ta shohim. Ka qenë një material i gjatë, i filmuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Pamjet ishin tronditëse, unë nuk kam arritur të shoh më shumë se 5 minuta nga ngjarja, pasi kishte pamje vërtet shumë të rënda. Është marrë kaseta nga grupi i BBC, është përgatitur një kronikë”, tregoi ai.

Pse nuk u transmetua e plotë nga BBC?
Kam bërë një diskutim me orë, sa duhet të jepnin, që lajmi të mos deformohej, por që publiku i tyre të mos terrorizohej nga pamjet. Edhe ora e dhënies, edhe cilat fragmente duheshin transmetuar, e sa të gjatë duhet të ishin, kanë qenë pjesë e një diskutimi të gjatë.

Cfarë u bë me këtë kasetë me tej?
Me kujtesën që kam unë mendoj që kjo kasetë i është bërë e qartë Melaimit që ai po ja dhuron BBC dhe përshtypja ime është që ka pasur një marrëveshje mes dy palëve. Ai ka pranuar që ta japë, BBC ka bërë të qartë që ata nuk blejnë lajme. Nëse zotëria dëshironte të ndihmonte që lajmi t’i bëhej i njohur botës, duhet të jepte kasetën te BBC. Kam përshtypjen që BBC ja ka ofruar zyrës së OKB, por përtej kësaj nuk di asgjë, sepse këto janë cështje që nuk kishin nevojë për përkthim nga ana ime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb