Mësohen detaje të reja nga arrestimi i dy ditëve më parë në Prizren të Kosovës, të Indrit Taullait, i njohur si “i forti” i bandës së Durrësit.
E pozicionuar para SPAK, gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se Indrit Taullai akuzohet për vrasjen e Klodian Saliajt.
Lala tha se lajmi konfirmohet për News 24 dhe BalkanWeb nga burime të besuara të Prokurorisë së Prizrenit, të cilat i kërkuar sot Gjykatës Themelore në Prizren masën e sigurisë “arrest me burg” për Taullain me afat 40 ditor, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Taullai u kap dy ditë më parë në një qendër tregtare, ndërsa sot doli para Gjykatës në Prizren dhe mbajti qëndrimin e tij.
SPAK dhe Policia e Shtetit kanë qënë mjaft të rezervuara për të dhënë informacione dhe detaje në lidhje me rastin, por News 24 dhe BalkanWeb mësuan se Taullai akuzohet si ekzekutor i Klodian Salihut në 2005.
Trupi i këtij të fundit u gjet i pajetë në një rrugë dytësore në Maminas. Klodian Salihu fillimisht konsiderohej si njeriu që fillimisht, në vitin 1998 krijoi bashkë me Lulim Berishën “bandën e Durrësit”, më pas, pas krimeve të rënda të kryera në 2005, banda ndahet në disa fraksione. Indrit Taullai në atë kohë qëndroi në fraksionin e Lulzim Berishës, ndërkohë që persona të tjerë të bandës qëndruan me Klodian Salihun, i cili njihet edhe si biznesmen mjaft i fuqishëm në Durrës.
Në fakt, ekzekutimi mafioz i Klodian Saliut ka qënë e vetmja ngjarje e rëndë ende e pazbardhur e kryer nga banda e Durrësit, sepse për të tjerat, 9 vrasje, 11 plagosje dhe 1 pengmarrje janë dënuar një numër mjaft i madh personash me në krye Lulzim Berishën, i cili tashmë është lënë i lirë me kusht nga Gjykata e Durrësit.
Mbi Taullain rëndojnë tashmë akuzat për “Vrajse për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, “vrasje me paramendim”, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Mbajtje e lëndëve shpërthyese” si dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Lala tha ndër të tjera se ndaj Indrit Taullait rëndon edhe dyshimi se është organizator dhe ekzekutor i një emri shumë të njohur në botën e biznesit para 15 vitesh.
News 24 dhe BalkanWeb kanë mësuar detaje rreth kësaj ngjarje të rëndë, por pritet që për rastin të japë një njoftim vetë Policia e Shtetit dhe SPAK.
Për këtë atentat të mirëorganizuar ka të dyshuar edhe persona të tjerë të pa arrestuar ende.
KRIMET
Indrit Taullai u arrestuar në qershor 2007, është shpallur fajtor nga drejtësia në lidhje me katër nga tetë ngjarjet kriminale të kryera nga kjo bandë në aksin DurrësTiranë gjatë viteve 1998- 2002.
Shkalla e Parë dhe Apeli i Krimeve të Rënda vendosën dënimin e tij me burgim të përjetshëm, dënim që u ndryshua në Gjykatën e Lartë. Ky dënim u prish në Gjykatën e Lartë më 16 korrik 2014, ku ai u dënua me 25 vjet burg. Referuar dosjes gjyqësore në ngarkim të tij, ai fajësua si një nga përgjegjësit për vrasjen me paramendim të Eduart Ongarit më 5 korrik 1999, vrasjen me paramendim të Marsel Sotirit, më 22 gusht 1999, vrasjen me paramendim të Dritan Dishës më 9 korrik 2000 dhe “rrëmbimit dhe mbajtjes peng” të shtetases Valbona Jaho.
Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të vitit 2014, që rrëzoi “burgun përjetë” për Taullain, Kolegji Penal shprehet se Shkalla e Parë dhe Apeli për Krimet e Rënda kanë gabuar duke mos cilësuar dhe kualifikuar veprat penale për të cilat akuzohej i pandehuri, sipas ligjit të kohës së kryerjes së këtyre veprave.
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në ndryshim nga gjykatat e faktit, vlerëson se, në periudhën e kryerjes së veprave penale nga i gjykuari, tetor 1998- gusht 1999, ka ekzistuar vetëm një rrethanë rënduese, që është ajo e parashikuar nga germa ‘gj’ e nenit 50 të Kodit Penal të kohës së kryerjes së veprave penale dhe që është: ‘kryerja e veprës penale në bashkëpunim’”, thuhej në vendim.
Sipas Gjykatës së Lartë, duke iu referuar provave të shqyrtuara, si dhe ligjit të kohës kur janë kryer veprat penale, duhet të aplikohet neni 78 i Kodit Penal, para ndryshimeve që ai ka pësuar në vitin 2001, ku “vrasja e kryer me paramendim” parashikonte dënim me burgim nga 15 deri në 25 vjet.
Indrit Taullai la qelinë ku vuante një dënim me 25 vjet burg, për shkak të problemeve shëndetësore në qershor 2017.
(m.a/BalkanWeb)