Publikohen disa pjesë të panjohura nga dosja hetimore dhe gjyqësore e ridënimit të Pjetër Arbnorit gjatë periudhës që ai vuante dënimin në Burgun e Burrelit në vitin 1979, ku prokurori i rrethit të Matit, Rexh Meta, në bazë të deponimeve të disa bashkëvuajtësve të Arbnorit, si dhe marrjen në pyetje të tij nga ana e hetuesit të Degës së Punëve të Brendëshme të atij rrethi, Jani Kolezi, si dhe akt-ekspertizën e hetuesit Sofokli Afezolli ndaj librave në dorshkrim që Pjetër Arbnori shkruante fshehurazi në qelitë e atij burgu, ka paraqitur dosjen në gjykatën e Burrelit.

Të gjitha deponimet dhe akuzat e bashkëvuajtësve të Arbnorit, si J.Z., B.Ç., M.K., Gj.L., etj., lidhur me debatet dhe bisedat që ata kishin bërë me të gjatë vuajtjes së dënimit, ku ai u kishte folur për: Revolucionin e Tetorit, Revolucionin Kultural-Proletar në Kinë, marksizëm-leninizmin, socializmin, Amerikën, Francën, Anglinë, Leninin, Stalinin, udhëheqjen e lartë të PPSH-së dhe Enver Hoxhën, përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, etj.

“Ndërsa dëshmitarit B.Ç., duke i folur për pushtetin tonë popullor i është shprehur se: ‘Këto gënjejnë në shtypin e gazetat e tyre’. Por armiqësia e tërbuar e këtij të pandehuri me pushtetin tonë popullor shprehet hapur në dëshirën e tij për përmbysjen e pushtetit tonë popullor, duke i thënë dëshmitarit J. Z., që: ‘Ti bashkë me xhaxhanë tënd do të japësh llogari para nesh, pikërisht për këtë gjë ti e mbron këtë system’, apo kur këshillon dëshimtarin M. K., që ‘Të mos i përkulesh këtyre, ne na takon e ardhmja, prandaj duhet të përgatiteni e tjerë’.

Nga provat e grumbulluara në dosjen hetimore dalin edhe shumë biseda të tjera armiqësore të zhvilluara nga i pandehuri, apo ide e pikpamje të tij, por që bashkë me materialin tjetër të mbledhur në dosjen hetimore, me qëndrimin e tij prej armiku në hetuesi, provojnë plotësisht jo vetëm akuzën në drejtim të pandehurit Pjetër Arbnori, por qënien e tij si armik i betuar deri në fund i këtij pushteti popullor”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kështu thuhet në në mes të tjerash në një nga relacionet e prokurorit të rrethit të Matit, Rexh Meta, të datës 30 prill 1979, ku ai raporton mbi hetimet që ka bërë hetuesia e atij rrethi ndaj të burgosurit Pjetër Arbnori, i cili në atë kohë ndodhej në burgun e Burrelit, ku vuante dënimin prej 25 vjetësh që i ishte dhënë në vitin 1962, i akuzuar se kishte dashur të formonte një parti social-demokrate.

Po çfarë thuhet tjetër në akuzat që i’u bënë Pjetër Arbnorit në atë kohë në burgun e Burrelit dhe kush ishin të burgosurit që pranuan të dëshmonin kundër tij? Çfarë kishte shkruar Arbnori në romanin e tij “Shtëpia e mbetur përgjysëm” dhe si u komentuan pjesët e atij libri nga hetuesi Sofokli Afezolli në akt-ekspertizën e bërë prej tij e cila e ridënoi edhe dhjetë vjet të tjera atë?

Si u mbrojt i burgosuri Pjetër Arbnori nga akuzat që i bëheshin në atë kohë dhe çfarë i shkruante ai në letrat që i dërgonte nga burgu Prokurorit të Përgjithshëm, Kryeministrit Mehmet Shehu, dhe në vitin 1986, edhe Ramiz Alisë?

Me të gjitha këto dokumente arkivore që Memorie.al i publikon për herë të parë, u njohëm në numrin e djeshëm, kurse në shkrimin e sotëm, po publikojmë një intervistë që kemi zhvilluar në atë kohë me z. Pjetër Arbnori, lidhur me përkthimet që bënin të dënuarit politik në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

***

Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, një pjesë e të dënuarave politikë që vuanin dënimet në kampe dhe burgje, si: profesorë, studiues, akademikë, shkrimtarë, përkthyes e intelektualë të njohur që zotëronin disa gjuhë të huaja, caktoheshin për të bërë përkthime librash të ndryshme që ishin të ndaluar apo nuk ishin në qarkullim.

Një pjesë e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, donin të dinin ç´ndodhte në botë, me historinë, mendimin estetik, letërsinë, ekonominë, politikën, shërbimet sekrete, etj., etj.

Për këtë, veç të tjerash shërbenin edhe njohuritë e shumta të Mirash Ivanajt, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut dhe shumë e shumë intelektualëve të tjerë të njohur, përkthyes dhe eruditë, të cilët ishin të detyruar të përkthenin librat që i’u duheshin pushtetarëve të lartë të asaj kohe. Ata libra nuk botoheshin për masën e gjërë të popullit dhe nuk dilnin kurrë jashtë rrethit të ngushtë të udhëheqjes së PPSH-së.

Njëri nga këto libra është edhe “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë”, i gazetarit dhe publicistit William Shirer, përkthyer në kohën e burgut nga Pjetër Arbnori. Nisur nga përvoja e atij përkthimi, Arbnori ka rrëfyer gjithë aventurën e përkthimit me detyrim në qelitë e Burgut të Burrelit etj.

Zoti Arbnori ju e keni përkthyer në burg librin e Shirerit “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë”. Çfarë është për ju ky libër?

Unë kam lexuar dhe kam përkthyer shumë libra që ishin të gjithë interesantë nga fusha të ndryshme të jetës. Por libri i William Shirer “Ngritja e Rënia e Rajhut të Tretë” ka qenë një vepër që mua më ka bërë një përshtypje të veçantë. Së pari, Shirer ishte një gazetar amerikan, korrespodent në Gjermani gjatë zhvillimit të nazizmit, që nga fillimi e deri në apogjeun e tij.

Ai ishte jo vetmë gazetar por edhe diplomat. Kishte dhe shumë miq dhe shfrytëzonte dhe shumë kanale të tjera informacioni. Fati i tij qëlloi të shihte edhe zhvillimin e Luftës së Dytë Botërore, fillimin e rënies dhe më tej shkatërrimin e dorëzimin e nazizmit.

Neru, kryetari i Kongresit të Indisë, ka thënë “Nazizmi dhe komunizmi janë vëlla e motër për nga metodat”, metodat e racizmit antisemist, e shkeljes së të drejtave të popujve të tjerë, metodat e përdorimit të diplomacisë si mjet për të shkelur dhe justifikuar shkeljen e popujve të tjerë. Dhe nga të gjitha këto nuk më është kujtuar asgjë tjetër, veçse komunizmi i mirfilltë. Vetëm se Hitleri pati pak kohë për t’a zhvilluar në përsosmëri këtë shtypje, këtë padrejtësi, këtë sistem vrasjesh.

Ndërsa komunizmi jetoi pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjet, e madje jeton ende. Dhe metodat e komunizmit janë shumë më të rafinuara dhe shumë më hipokrite. Në komunizëm ka vetëm këngë valle, punë vullnetare, gjyqe vrasëse, shpallje armiku kudo dhe veprime të tjera që e hutojnë popullin.

Edhe në Gjermaninë naziste, këto metoda ishin për të krijuar idenë e Gogolit. Dhe kjo ishte një metodë e përbashkët mes komunizmit e nazizmit.

Nga libri i William Shirerit, kam mësuar shumë gjëra, por sidomos se metodat naziste ishin metoda vëlla e motër me metodat komuniste, të cilat fatkeqësisht zgjatën më tepër dhe shkaktuan më shumë viktima. Unë nuk dua të justifikoj nazizmin, por komunizmi e vazhdoi këtë metodë për shumë kohë, duke na bërë të këndojmë e të kërcejmë, pa patur dëshirë as për këngë e as për kërcim.

Çfarë gjinie i përket ky libër?

Është një libër dokumentar: kujtime, dokumente, bisedime, edhe bisedime sekrete të mëdhenjve. Cilido që e lexon këtë libër mëson vetëm realitetin prej tij.

Si mendoni, pse nuk është botuar ky libër në kohën kur ju e përkthyet?

Atë libër donin ta lexonin anëtarët e Byrosë Politikë dhe sekretarët e Komitetit Qëndror. Dhe nuk duhej ta lexonin populli i thjeshtë apo të shkolluarit. Ne të burgosurit mund ta përkthenim, sepse ne ishim gojëmbyllur. Dhe sipas planit të tyre asnjëri prej nesh nuk do të dilte i gjallë. Sikurse edhe kanë vdekur shumica e njerëzve.

Përveç këtij libri ju keni përkthyer edhe të tjerë në burg. Ishin të kësaj antyre apo ishin libra letrarë?

Unë mund të them se kam përkthyer një libër voluminoz “Ekonomia politike botërore” dhe “Ekonomia amerikane”. Ishte një libër i pregatitur nga një grup profesorësh të Universitetit të Çikagos, që zotërinjtë e Byrosë Politike e kishin marrë, sepse donin të dinin se ç’thuhej aty.

Megjithëse thonin se ajo është një emkonomi që nuk vlen, ekonomi e shkatërruar, që nuk ka të ardhme, sërish kërkonin të dinin mbi realitetin e ekonomisë amerikane. Por, përveç tij, unë kam marrë pjesë edhe në përkthimin e librit “Lufta u fitua në Zvicër”, që fliste për një agjent, i cili ishte i lidhur me 10 apo 12 ushtarakë gjermanë që nuk e donin Hitlerin dhe e furnizojnë me të dhëna të frontit dhe Ushtrisë! Këto të dhëna, ai më pas provoi t’ua jepte amerikanëve, më pas anglezëve dhe në fund ua dha rusëve. Sepse ishin të dhëna aq të habitshme sa askush nuk i besonte.

Si dhe kur u njohët ju për herë të parë më përkthimin e detyruar në burg?

Në pranverë të vitit 1951, ime motër, Antonieta, u burgos për të dytën herë politikisht. Mbasi ndjenji shumë kohë e izoluar dhe pak kohë në burgun e madh të Shkodrës, e dënuar me dhjetë vjet, një ditë na erdhi në shtëpi një zarf i hapur me adresën e saj të re: BURGU I ARMIQVE TE POPULLIT. PUNETORIA QENDRORE E ARTIZANATIT E MINISTRISE SE PUNEVE TE BRENDSHME, TIRANE.

Shkuat për ta takuar pas letrës që morrët nga motra juaj?

Shkova dhe aty më zuri syri një kamp përqendrimi të rrethuar me mure të larta, tela me gjemba dhe korrenti, e kulla rojash. “Te ajo dritarja me hekura e katit të dytë, roja vrau kot së koti Kasem Zhupën, diversantin e hedhur me parashutë bashkë me Ethem Çakon”, – na shpjegoi një ish i burgosur që kthehej për të marrë vërtetimin e punës.

“Ndërsa në arën aty përballë, te shtëpia përdhese, ku dallohet një pllakë mermeri, qe rrethuar dhe vrarë Qemal Stafa dhe qe arrestuar nga fashizmi e fejuara e tij, Drita Kosturi, komuniste e orëve të para”.
“Drita Kosturi – ndërhyra unë për t’u shitur se di edhe unë diçka, – tani është dënuar përsëri njëzet vjet nga shteti komunist si “spiune e imperializmit”. Tani ka ardhur këtu nga Shkodra, bashkë me motrën time dhe paska çdo ditë përballë vendin, ku i’u vra i fejuari dhe u arrestua vetë.
“E dhimbshme shumë”!
“E dhimbshme, po sa më pak të flasësh, aq më mirë është për ty”, ma ktheu ish-i burgosuri politik!
Te porta e madhe e hekurt, pranë një kanali me ujë të ndenjur, ishin ngulur si kryqe ca dërrasa të shkruara me të zeza: ‘ARMIQTE’, ‘ORDINERET’, ‘OFIÇINA’, ‘RROBAQEPSIA’, ‘MESAGJERIA’ Pranë secilës dërrasë, ishin grumbulluar sopratasa dhe torba me emra të varur që prisnin radhë, për t’u futur brenda portës. ‘MESAGJERIA’, kishte më pak torba, dhjetë apo pesëmbëdhjetë. Ish i burgosuri më tregoi se në atë sektor, gjendeshin përkthyesit.

Përse quhej Mesagjeria ai sektor?

Akoma nuk e kam marrë vesh, përse ai sektor quhej “Mesagjeria”, sado që kam kontrolluar shumë fjalorë të huaj dhe sado që mbahem se kam përkthyer libra nga katër gjuhë të huaja. Pas shtatë vjetësh, kur motra kreu dënimin e dytë më shpjegonte ndër të tjera: Ishin herë dy, herë tri dhoma përkthyesish. Në to ishin të mbyllur njerëz ndër më të nderuarit e burgjeve, qoftë nga dituria, qoftë nga pozita që kishin pasur. I shikoja nga larg, por e kishim të ndaluar të komunikonim me ta. I pari, ishte Mirash Ivanaj, ish-ministri Reformator i Arsimit i kohës së Zogut. Më 1945, Enver Hoxha e ftoi të vinte nga mërgimi “për të ndihmuar atdheun”. E thirri në zyrë, diskutuan gjatë bashkë, nuk u morën vesh në asgjë dhe diktatori Hoxha e dërgoi të ftuarin në burg, e dënoi, e la të vdiste nga sëmundjet dhe uria. Është proverbiale që te tabela ‘MESAGJERIA’, nuk dukej kurrë një torbë apo një sopratas me emrin e Mirash Ivanajt, por është edhe më proverbiale, fakti që çdo drekë, idealisti Ivanaj, shtronte një mësallë të pastër, një copë bukë, një pjatë me bollgur të neveritshëm, një vezë të zier, kurrë të qëruar, gjithmonë të mbështjellë, me muaj pa u ngrënë, një copë djath të thatë që gjithnjë e çonte te goja, po kurrë nuk e kafshonte, në mënyrë që të mos i jipte njeriu gjë, e as të mos pranonte një ushqim prej të tjerëve. Në këto kushte, përktheu me muaj e vite profesori i nderuar dhe ne, nxënësit e asaj kohe, mësonim dispensa të përgatitura prej tij dhe shokëve të tij, derisa ai dha frymën e fundit. Në ‘Mesagjeri’ punoi edhe shkrimtari madh Mitrush Kuteli. Aty përkthente edhe Ali Cungu, nxënës i dalluar i shkollës Teknike Amerikane, Beqir Haçi, Gjon Shllaku, përkthyesi i Homerit, Vexhi Buharaja, e shumë e shumë të tjerë.

Po ju si hytë në rrethin e këtyre përkthyesve?

Nëpër kampe, komisarët u porositën të pyesnin: Cili dinte gjuhë të huaja: anglisht, frengjisht, gjermanisht, italisht, latinisht, greqishte të vjetër apo turqisht. Gjuha e parë për të cilën pyetej, ishte rusishtja, por asnjeri prej të burgosurve të parë, nuk e dinte atë. Shumë autodidaktë, u vunë për ta mësuar atë me ngutje, meqë më 1949-ën, rusishtja u bë gjuhë kryesore përkthimi. Më vonë, u zgjidh problemi.

Si u zgjidh, në ç’mënyrë?!

Shumë thjesht. U arrestuan pas vitit 1961 shumë pro-sovjetikë, që kur nuk u pushkatuan si spiunë, u vunë të shërbejnë si përkthyes nëpër biruca. Në atë kohë Akademia e Shkencave kishte mbetur pa specialistë, Ministria e Arsimit kishte mbetur pa tekste. Ministria e Punëve të Jashtme pa konventa të përkthyera. Partizanët entuziastë, mund të vrisnin për një minutë dhjetra njerëz të ditur, por nuk mund të krijonin me “normë” shkollarë të përgatitur. Në fillim të vitit 1961, u arrestova dhe gjeta në kampe e burgje, shumicën e brezit të vjetër të vdekur, të kaluar nga burgu në internim, apo “të lirë” që gjallonin si “mumje”, që as shikonin, as dëgjonin, as flisnin, për të mos përsëritur burgun që megjithatë u gjindej sebepi për t’iu futur dy herë e tri herë brenda. Pas katër vjetëve izolim dhe dy vjetëve kamp ndërtimi, më transferuan si të pabindur e të pakorigjueshëm, në Burgun e Burrelit. Një ditë, ne që ishim më “vesh-hollë”, dëgjuam urdhrin “të gjithë brenda”, dhe zhurmën e nallaneve që shpejtonin me ngut, e simfoninë e shulave të rëndë që mbylleshin me kyçe. Ndërsa këpucët e rënda të rojes, po afroheshin në corridor, shikova me bisht të syrit djathtas e majtas. Nxora një palë çorape të leshta nga nënkresa dhe i vesha. Futa dy-tri shami hundësh në xhepa. Pa bërë zë, i mora një shoku një zhile të leshtë.

Çfarë kishte ndodhur?

Kërciti dera dhe u thirr emri: “Pjetër Arbnori në komandë”! Në të ngritur, kapa xhupin e pambuktë mes dyshekëve që ta kisha për çdo rast. Një numër oficerësh madhorë ndodheshin përballë meje në zyrë. Në qendër, një zv/ministër i Punëve të Brendshme. Ndërsa mbi tryezën e ndritshme, ishte një turrë librash të rinj, me kopertina të shkëlqyera botimesh të huaja. “Ju kemi sjellë për të përkthyer disa libra që na duhen. Merrini, shikojini”, më thanë ata, ndërsa unë i mora nëpër dorë. “Na duhen shpejt dhe me cilësi. Do të punoni në dhoma të veçanta. Askush nuk duhet t’i lexojë, as librat, as dorëshkrimet. Ta kemi prerë, dënoheni…”, ishin porositë e tyre dhe kësisoj u futa dhe unë në rrethin e përkthyesëve.

Ju, shpërbleheshit për punën e detyruar që bënit në birucë?

Shpërblimin ma thanë që atë ditë. “Do të keni racionin e bukës 800 gram, një gjellë pak më të mirë, do të keni sipas normave nga dhjetë lekë në ditë shpërblim, dhe nga dy ditë zbritje dënimi në muaj. Takim të zgjatur me familjen nga 20 minuta, një herë në muaj. Në banjo do të shkoni sa herë të keni nevojë”.

Ku ju ‘akomoduan’ në Burgun e Burrelit për t’u marrë me përkthimet që donin ata të Ministrisë së Brendëshme që u caktuan me atë punë?

Dhoma të lira nuk kishte asnjë në Burrel. Edhe më e pakta, kishte tridhjetë vetë brenda. Në vend të dhomave, na dërguan në katër biruca. Na vunë nga një gjysmë të prerë fuçie bitumi bosh dhe qyngje sobe. Dritares së boshatisur i vunë për të parën herë nga një xham ose nga një karton; sollën nga një tavolinë, dy karrige, një tufë me letra të bardha; diku po, diku jo, nga një makinë shkrimi.

Sa përkthyes ishit në rrethin ku bënit pjesë edhe ju?

Ishim ndarë në çifte. Isha unë dhe Uran Kalakulla; Engjëll Çoba, jurist, ish-zv/ministër i Punëve të Brendëshme dhe Xhavit Qesja, ish sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Qarkut Shkodër; Vangjel Lezho ish-gazetar, dhe Iljaz Spahiu, ish-nëpunës në ambasadën shqiptare në Rusi; Fehmi Frashëri ish-nëpunës ambasade dhe ekonomist në Rusi, si dhe Ivan Çami inxhinier i diplomuar në Bashkimin Sovjetik. Gjithë ditën shkruanim pa pushim në biruca, natën shkonim për të fjetur në dhomat tona; ajrimin e bënim secili në kohën e caktuar me dhomën e vet. Problemi ishte se rojat nuk kishin dëshirë të na takonin me dhomat e tjera, sidomos ne “spiunët” e Perëndimit me të dënuarit “antiparti”, ose si quheshin ndryshe “të mesit” apo “revizionistët”.

Cilët ishin librat e parë që ju sollën për të përkthyer?

Në fillim na sollën disa libra. Ishte “Ditari i kolonelit Penkovskij” – një kolonel i zbulimit sovjetik i vënë vullnetarisht në shërbim të Intelegjent Service Britanik dhe CIA-s amerikane, në kohën e krizës së Berlinit dhe krizës së raketave në Kubë, i cili dha mbi 5000 dokumente origjinale e informacione sekrete sovjetike gjatë viteve 1959-1962. Këtë libër e kam përkthyer unë dhe Uran Kalakulla. Ishte edhe “Lufta Partizane në Ballkan”. Dokumente sekrete mbi marrëdhëniet dhe bisedimet Tito-Churchill, Tito-Stalin. Marrëdhëniet e komunistëve jugosllavë – shqiptarë e grekë. Këtë e përkthyen Engjëll Çoba dhe Xhavit Qesja. Ndërsa Vangjel Lezho dhe Ivan Çani, përkthyen “Libër mbi CIA-n, teknikat njerëzore e shkencore”. Unë kam përkthyer në atë kohë edhe librin “Lufta u fitua në Zvicër 1939-1945” dhe “Kundërzbulimi francez”

Dhe së fundmi, çdo të thotë të përkthesh me urdhër?

Përkthimi me urdhër nuk ka atë kënaqësi që ka përkthimi i vetvetishëm, por mos harroni, se ne i kishim të ndaluar librat e mirë. Dhe kur na sillnin për të përkthye ca libra të tillë për tjetërkënd, (që i përkthenim për dhjetë lekë të vjetra në ditë) kjo ishte përbuzëse./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb