TIRANË
Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë në një intervistë për News24, e para për vitin 2021 tha se institucioni që drejton edhe pse me mungesë inspektorësh, ka propozuar shkarkimin e 3 gjyqtarëve dhe ka çuar në hetim 5 magjistratë.
““Sistemi i drejtësisë i është nënshtruar një reforme të thellë kushtetuese, ligjore dhe institucionale.U krijua një arkitekturë e re institucionesh, ngritja e të cilave pa dyshim kërkoi kohën e vet. Tani fillon sfida që është e rëndësishme, zbatimi i kompetencave që këto institucione kanë dhe realizimi i qëllimit për të cilin këto institucione u krijuan, së pari kthimi i besimit të publikut, dhënia e një drejtësie të paanshme jashtë interesave të cdo fushe e kështu me rradhë.
Qytetarët kanë nevojë të shohin rezultate, tashmë është koha e rezultateve dhe jo më e justifikimeve. Sigurisht duke balancuar këto kërkesa për rezultate edhe me sfidat por duke patur parasysh edhe vështirësitë që institucionet kanë si në burime njerëzore, por në ifrastrukturë e kështu me radhë. Sistemi është në situatë të vështirë sepse, gjyqtarët ikin dhe është e vështirë që këta gjyqtarë të zëvendësohen shpejt, sepse i tillë është sistemi, por rëndësi ka që qytetarëve t’u ngjallet besimi që institucionet funksionojnë.
Për mua kjo është më e rëndësishme dhe ky është themel i debatit sot, dhe duhet të jetë themel i debatit sot: A kanë filluar të funksionojnë institucionet e reja të drejtësisë? Për mënyrën se si është ideuar dhe konceptuar reforma unë si jurist e mendoj që është një nga sfidat e kësaj shoqërie. Mua më pëlqen mënyra se si është ngritur arkitektura e sistemit të ri të drejtësisë, me kompetenca të ndara dhe shumë të qarta të institucioneve” -u shpreh Metani.
Padyshim kjo ka sjellë edhe vështirësitë në sistem. Vështirësitë kanë ardhur pa dyshim edhe nga lëvizjet apo nga shkarkimet e magjistratëve nga organet e vlerësimit kalimtar, ato që quhen organet e vettingut, padyshim kanë ardhur, vijnë dhe do vijnë edhe nga ndërhyrjet e jashtme të sistemit sic janë inspektimi apo monitorimi i punës së gjyqtarëve e prokurorëve nga ILD Por padyshim reforma nuk është vetëm kjo. Reforma ishte ngritja e institucioneve por edhe ndryshimet në kodet e procedurave civile e penale gjykimet penale e civile që do thotë ka procedura të reja nga gjykatat e prokuroritë dhe sigurisht këto nuk janë ndryshime që e japin efektin për një ditë, një vit a dy vjet. Efekti i tyre do kohën e vet. Eshtë e natyrshme që të ketë kohën e vet. Ajo që unë mendoj se është e rëndësishme është që institucionet të tregojnë që mekanizmi ka filluar të funksionojë dhe jam plotësisht dakord me opinionin e përgjithshëm që qytetarët kanë nevojë të shohin rezultate. Tashmë është koha e rezultateve dhe jo më e justifikimeve, sigurisht duke e balancuar kërkesën për rezultate me sfidat që përmenda më sipër. Duke patur parasysh këtë filozofi mendimi, ILD që prej funksionimit të tij më 1 shkurt 2020 ka bërë detyrën e vet, me ngritjen e institucionit krejt nga fillimi por edhe me masat e para ndaj dy gjyqtarëve e të tjerë janë në proces disiplinor a hetimor.” tha Metani.
“Për mua është e rëndësishme që ILD të jetë i balancuar në qëndrimet e veta sa i takon ndërhyrjeve të veta në sistemin e drejtësisë si për gjyqtarët e prokurorët sepse nga njëra anë duhet të respektojë interesin e publikut për administrimin e drejtësisë, publiku ka interes të shohë edhe si funksionon sistemi, por nga ana tjetër ky interes duhet balancuar edhe me pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve edhe me ndarjen e pushteteve, edhe me parimet e procesit të rregullt ligjor e kështu me rradhë, që do të thotë se ILD nuk është dhe nuk mund të jetë apo të qëndrojë si cekan në kokat e gjyqtarëve. Padyshim, ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë shkelur ligjin apo që kanë shkelur interesat e shenjta të dhënies së drejtësisë, duhet të kenë frikë. Sa i takon ILD-së ka ikur koha, që gjyqtarët e prokurorët që luajnë me interesa publike, apo me interesat e qytetarëve të mos kenë pasoja.”- vijoi ai
(BalkanWeb)