Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka mësyrë mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Krujës ku janë ndaluar deri tani 10 persona. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se është arrestuar gjyqtarja Enkeleda Hoxha dhe avokati Aldo Tabaku, ndërkohë që është ndaluar dhe kryesekretarja e gjykatës Ela Mallkuçi. Operacioni vijon ende dhe oficerët e SPAK kanë sekuestruar dhe dosjet që kishte në shqyrtim gjyqtarja Hoxha.
“Ka pasur disa urdhër arreste nga SPAK në Gjykatën e Krujës. Në orët e para të ditës së sotme, kur gjyqtarët, prokurorët dhe stafi i gjykatës janë paraqitur në zyrat e tyre oficerët e SPAK kanë zbarkuar në institucion. Bëhet fjalë për gati 10 të ndaluar. Njëra prej të ndaluarave është gjyqtarja Eneeleda Hoxha, e cilësuar një nga gjyqtaret më problematike, për të cilën ILD ka kërkuar shkarkimin nga detyra, pasi sipas tij në kundërshtim me ligjin ka liruar disa nga emrat e njohur të botës së krimit. Operacioni vijon ende. Pjesëtarë të prokurorisë thanë se oficerët e SPAK po kontrollojnë dhjetëra dokumente dhe ka sekuestrime. Bëhet fjalë për një rast korruptiv dhe dyshohet se gjyqtarët kanë marrë para kundrejt vendimeve të dhëna. Kryesisht vendimet për liri me kusht për emra të njohur të botës së krimit. Është shoqëruar dhe kancelari i gjykatës dhe avokatë. Kontrollet po ushtrohen jo vetëm në gjykatën e Krujës por dhe në banesat e personave të dyshuar”, raportoi Lala.
Sipas saj, hetimet kishin nisur prej disa muajsh.
“Gjykata e Krujës ishte vënë në qendër të akuzës kur disa emra të njohur të botës së krimit fituan lirinë me kusht. Gjyqtarët dhe prokurorët ishin vënë në vëzhgimi ne SPAK. Bëhet fjalë për një hetim të çelur prej disa muajsh nga SPAK. Janë vëzhguar dhe përgjuar disa nga emrat e përfshirë, në fokus gjyqtarët dhe prokurorët. ILD ka kërkuar po ashtu shkarkimin e prokurorit Bujar Memia, që sipas ILD favorizonte lirimin me kusht të personave të njohur të botës së krimit. Duke u sekuestruar dosjet, mund të ndodhë që krahas dosjeve që disponon SPAK mund të ketë dhe çështje të tjera dhe emra të tjerë të përfshirë Fakti që janë ndaluar dhe avokatë dhe staf mbështetës, bëhet fjalë për një skemë kriminale.
Dyshimet e SPAK janë që janë shkëmbyer para dhe për këtë shkak janë duke u kontrolluar dhe banesat e personave të dyshuar. Janë duke u sekuestruar të gjitha dosjet që ishin në shqyrtim nga gjyqtarja e ndaluar.
Hoxha ushtron profesionin e saj të gjyqtares prej vitesh në Gjykatën e Krujës.
Ka firmosur lirimin me kusht të Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e kolonel Zylyftarit. Ka firmosur lirimin me kusht të Hekuran Billës që u ekzekutua në një atentat në Tiranë. Ka firmosur dhe lirimin me kusht të ish-kreut të bandës së Durrësit Indrit Dokle. Vendimi që lidhej me Indrit Doklen ishte më i diskutuari, pasi ai kishte kryer shumë pak vite burg në krahasim me atë që ishte dënuar. Ajo ka firmosur dhe lirimin me kusht të Ilir Pajës dhe ka dyshime për disa persona të tjerë që do të liroheshin prej saj. Një gjyqtare që po cenonte hapur besimin e publikut tek drejtësia. SPAK ka dyshime dhe për përfshirjen e personave të tjerë.
Është arrestuar bashkë me gjyqtaren Aldo Tabaku, që sipas SPAK ka bashkëpunuar ngushtë me gjyqtaren Hoxha”, deklaroi gazetarja Lala.