Të tjera detaje zbulohen nga operacioni i SPAK që u zhvillua ditën e sotme në Krujë, ku ka pasur 4 urdhër-arreste dhe është arrestuar gjyqtarja Enkeleda Hoxha dhe avokati Aldo Tabaku.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se sipas hetimeve disa mujore rezulton se gjyqtarja Hoxha kishte marrë bashkë me avokatin Aldo Tabaku një shumë të konsiderueshme parash për uljen e dënimit të një të burgosuri për vrasje që vuante dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Krujë.
“Ka të dhëna dhe prova sipas SPAK që gjyqtarja Hoxha dhe avokati Tabaku kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash për të favorizuar lirimin e të dënuarit. Hoxha ishte vënë në vëzhgim dhe nën shënjestrën e akuzave pas firmosjes së disa vendimeve për lirimin e personazheve të njohura të botës së krimit. Operacioni vijon ende dhe po kryhen kontrolle edhe në banesat e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtarinë kriminale”, tha Lala.