Mëngjesin e sotëm gjyqtarja Enkeleda Hoxha kishte shkuar në zyrë si çdo ditë, por pak minuta pas nisjes së punës është përballur me oficerët e SPAK, të cilët e kanë arrestuar.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Hoxha kishte firmosur uljen e dënimit të shtetasit Saimir Petani i dënuar me 25 vite burg për vrasje të kryer në 1995 në Lushnjë dhe më pas i dënuar me 9 vite burg në Milano në 2003 dhe i ekstraduar në Shqipër, ku vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës.
Për uljen e dënimit që më pas do sillte dhe lirimin e të dënuarit për përmbushjen e afateve, Hoxha akuzohet se ka marrë një shumë parash bashkë me avokatin Aldo Tabaku. Ky i fundit rezulton pothuajse në të gjitha vendimet e dhëna nga gjyqtarja Hoxha.
Mes të arrestuarve është edhe vëllai i të dënuarit, Bledar Petani i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal.
Vetë personit që do përfitonte nga ulja e dënimit teksa priste të linte qelinë i është komunikuar sot akuza për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
Ndërkaq gazetarja Lala raportoi se Altin Skëndaj, i arrestuar sot gjithashtu ka njohje me Saimir Petanin dhe ka dhënë paratë në emër të tij, Gazmir dhe Gentjan Nezaj, kanë ushtruar ndikim për shkak të njohjes me gjyqtaren dhe avokatin.