Policia e Korçës vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Gjatë një aksioni, uniformat blu kanë ndaluar dy persona me precedent të mëparshëm penal në fushën e mashtrimit dhe organizatës kriminale.

Kështu, është arrestuar pjesëtari i një grupi të strukturuar kriminal dhe një tjetër shtetas i akuzuar për mashtrim.

Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, nga strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë u bë i mundur ndalimi i shtetasve të shpallur në kërkim:

A. J., 57 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 02.07.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Mashtrimi”.

N. M., 62 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 07.07.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet e 8 muaj burg, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” më shumë se një herë e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Grupi i strukturuar kriminal”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 8 muaj burg.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb