TIRANË
Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i vrasësit të Behar Sofisë, mbrëmjen e kaluar në Mal të Zi.
Në pranga ka rënë 23-vjeçari Ernejt Shyti, i cili ka pranuar krimin para autoriteteve të drejtësisë. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se vrasja e Sofisë dyshohet të jetë kryer me pagesë, ndërsa policia ka arrestuar edhe tre bashkëpunëtorët e 23-vjeçarit.
23-vjecari është kontraktuar nga 2 të rinj nga Fushë Kruja, S. V. dhe L. Xh., të cilët tashmë janë arrestuar. Në pranga ka rënë edhe një vëzhgues tjetër, që ruante Sofinë. Ndërkohë, nuk dihet ende kush e ka urdhëruar vrasjen e biznesmenit.
Sa i takon autorit të krimit, 23-vjeçarit Shyti, gazetarja Bezat raporton për “BalkanWeb” se jetonte me qira me nënën e tij, në kryeqytet, te rruga “Bardhyl”. Ai është identifikuar nga ADN-ja e lënë në rrogat, që braktisi te liqeni, pas vrasjes.
DINAMIKA E NGJARJES:
Që në momentin kur ka ndodhur vrasja, policia ka kryer veprime komplekse hetimore. Sektori i krimeve kundër jetës ka shoqëruar më shumë se 20 persona në Kërrabeë, disa ditë më parë, sepse gjurmët e autorit të çonin aty.
Çelës për zbardhjen e ngjarjes ishin kamerat e sigurisë, që kishin kapur të riun që ka gjurmuar Sofinë 3 ditë rresht, nga e hëna në të enjte, kur ndodhi vrasja. 23 vjeçari Ernejt Shyti jetonte në një banesë me qira me të ëmën, në zonën e Brrylit. Dilte çdo mëngjes me biçikletë dhe gjurmonte Sofinë. Ditën e ngjarjes, ai ka parkuar biçikletën poshtë urës së Lanës dhe ka kryer vrasjen.
Më pas, ka shkuar drejt Liqenit Artificial, ku ka braktisur rrobat, xhup, pantallona, kapele dhe maskë anti-Covid. Më pas, ka shkuar përsëri në banesë, ku nuk ka dalë deri mëngjesin tjetër, ku është nisur për në Mal të Zi. Ai ka kaluar nga Hani i Hotit dh është strehuar në shtëpinë e një miku të tij në Podgoricë, aty ku punonte me sezone si bojaxhi. Policia, rrobat i gjeti 3 ditë pas ngjarjes, ku nxori dhe profilin gjenetik dhe dje zbuloi identitetin e tij.
(BalkanWeb)