Izraeli ka shprehur gatishmëri që t’i ndihmojë Kosovës për të siguruar vaksina kundër koronavirusit.
Kështu është thënë në një komunikatë për media të Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, teksa është bërë i ditur një takim virtual që do të zhvillohet të mërkurën pasdite në mes të ministrit në detyrë të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe ministrit izraelit të Shëndetësisë Yuli Edelstein.
“Ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.
Më 14 mars, Kosova ka hapur zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem.
Ky vendim është vlerësuar nga autoritetet izraelite, derisa është kritikuar nga zyrtarë të Autoritetetit Palestinez.
E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael Ines Demiri, ka njoftuar me 26 shkurt përmes Twitter-it se ka arritur në Izrael. Ajo pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në këtë shtet.
Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është parashikuar në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Vetëm Kosova s’ka vaksina në Evropë
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina./rel