PRISHTINE – Muaj më parë, mediat kosovare shkruan se këngëtarja e re kosovare Era Istrefi është në një lidhje dashurie me ish-menaxherin e Dafina Zeqirit, Drin Zatriqi. Për mungesë të fakteve dhe fotove fjalët i mori era, pasi askush nga ata të dy nuk deklaroi hapur diçka të tillë. Por, në fakt, paska qenë e vërtetë, pasi projekti i ri i këngëtares, kënga me titull “13”, i dedikohet pikërisht lidhjes së tyre, që ka zgjatur gati 1 vit. Ndaj pasi ka dëgjuar këngën, Drini ka vendosur të hapë zemrën dhe të flasë për lidhjen e tyre, që tashmë ka përfunduar. I pyetur se a e ka parë klipin e ri të Erës dhe çfarë mendon për të si vajzë, ai shprehet: “Natyrisht që e kam parë momentin e parë që është publikuar, kryesisht falë njerëzve, që i shikojnë punët e huaja dhe kështu çdo informacion apo këngë e re falë internetit transmetohet me shpejtësinë e dritës”. Era është shumë origjinale dhe kreative. Dua të them gjithashtu që frymëzimin dhe inspirimin për të krijuar muzikë gjithmonë e ka gjetur nga përvojat personale në jetën e saj. Në dy këngët e fundit pjesë e jetës së saj artistike kam qenë dhe unë, pasi përkojnë me ngjarjet dhe periudhën së bashku”, shprehet Drini. Ai sqaron se kënga “13” i dedikohet datës së fillimit të lidhjes, 13 dhjetori i vitit të kaluar. “Së pari emri i këngës për mua ka shumë sens, sepse data 13 ka qenë data kur zyrtarisht kemi filluar të shkojmë bashkë në shtrat. E arsyeja e dytë është që numri 13 është numër fatkeq, veçse në këtë rast për mua cilësohet si numër fatmirë. Ne nuk jemi ndarë asnjëherë me dëshirë, por na kanë ndarë rrethanat, të cilat kanë rezultuar jofavorizuese për lidhjen me ardhjen time në Nju Jork (SHBA). Largësia na ka ndarë fizikisht dhe kuptuam që është e pamundur të mbahet një lidhje në distancë. Gjithsesi, edhe sot besoj që unë dhe Era jemi bashkë në disa aspekte. Raportet mes nesh janë shumë të mira, të dy i dimë arsyet tona dhe besoj që kemi mirëkuptim në këtë ndarje. Për ta vërtetuar këtë që po them, mund të tregoj se pas ndarjes jemi takuar në New York miqësisht, dhe kohë pas kohe komunikojmë me njëri-tjetrin”, u shpreh Drin Zatriqi. Nga ana e saj, Era duket se nuk e ka kaluar lehtë këtë ndarje, nëse do u referohemi vargjeve të këngës që i ka shkruar vetë. Ajo i drejtohet ish-të dashurit me fjalët se kur ta marrë malli, vetëm të kujtohet që ka qenë ai që e ka lënë të shkojë, edhe pse ajo ka qenë shumë e dashuruar duke menduar gjithë kohës për të.
(er.nu/panoramaplus/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: