Rënia e ndjeshme e shtrimeve ka çuar në mbylljen e spitalit Covid 4 ne Tiranë.

Burime për News 24 bëjnë me dije se ata pak pacientë dhe personel mjekësor e infermieror janë transferuar në spitalet Covid 1 dhe Covid 3, ndërsa struktura e re spitalore do të vijojë të qëndrojë në gatishmëri, nëse do të ketë një valë të re infektimesh dhe shtrimesh në të ardhmen.

Shtrimet kanë rënë edhe në 6 spitalet e tjera Covid, 3 në Tiranë dhe 3 rajonale. Numrin më të madh të shtrimeve e ka spitali Covid 2, ku po marrin trajtim rreth 80 pacientë me forma të rënda klinike po aq sa kanë të shtruar dy spitalet e tjera terciare, Covid 1 dhe Covid 3.

Në total shtrimet me Covid 19 në 3 spitalet e Tiranës zënë 20% të kapacitetit mbajtës të këtyre spitaleve.

Më shumë të shtruar në raport me kapacitet kanë tre spitalet rajonale të kthyera Covid, Spitali i Durrësit, i Shkodrës dhe Elbasanit, ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë të prekur nga sindroma sars cov, dy që zënë rreth 30% të kapacitetit spitalor.

Ulja e shtrimeve në spitalet Covid dhe mbyllja e spitalit Covid 4 është pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së ndjeshme të infektimeve në popullatë.

Të dhënat zyrtare për javën e parë të muajit prill 2021 dëshmojnë një rënie të numrit të infektimeve ditore nën 290, me një shkallë pozitiviteti 11%, një shifër rekord që shenjon 50% më pak infektime sesa raportohej nga qeveria në muajin tetor 2020 kur nuk ekzistonte ora policore.

Nga ana e saj qeveria nuk ka ruajtur të njëjtën qasje dhe metodologji në vendosjen e kufizimeve duke mbajtur në fuqi të njëjtat masa shtrënguese të aplikuara në muajin shkurt  kur vendi po përjetonte pikun e pandemisë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb