Prokuroria Themelore në Mitrovicës ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e sotme që ka ndodhur në Tregun e Gjelbër në këtë qytet.
Me anë të një komunikate për media, Prokuroria ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 11:30 pas një konflikti të çastit në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë.
Me të dyshuarin, Prokuroria ka njoftuar se ka qenë edhe një zyrtar policor, mirëpo që sipas informacioneve të para, ai nuk është autori i vrasjes.
“Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton opinionin se sot rreth orës 11.30 si pasojë e një konflikti të çastit në Tregun e Gjelbërt në Mitrovicë, një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve kalimtar i rastit. I dyshuari për këtë rast është arrestuar nga policia dhe ndaluar me vendim të prokurorit.
Të plagosurit janë dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin e Mitrovicës, ndërkaq trupi i të vrarit me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Prokuroria njofton opinionin se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes. Rasti është kualifikuar ‘Vrasje e rëndë’, dhe është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit në koordinim me Njësitin e Hetimeve Rajonale të Policisë në Mitrovicë”, deklaroi Prokuroria.