Një anëtar i LSI-së në Poliçan është rrahur mbrëmjen e së mërkurës nga 7 persona, siç deklaroi ai pjesë e Partisë Socialiste.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “BalkanWeb” se Luan Tare (Pitikoja) ka qenë duke hyrë në pallatin e tij kur është goditur me sende të forta në kokë e trup nga nipi dhe vëllai i kryetarit të Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj dhe 5 persona të tjerë.

Tare u dërgua në Qendrën Shëndetësore “Pëllumb Dollani” në Poliçan, ku mori mjekimin e parë, ndërkohë që gjendja e tij filloi të përkeqësohej. Familjarët e Tares kanë kërkuar trajtim dhe ekzaminim më të specializuar, për shkak se i dëmtuari nuk ndihej mirë dhe për këtë arsye kanë kërkuar transportimin e tij me ambulancë në Spitalin Rajonal Berat, por mjekja Alma Caka nuk pranoi përdorimin e ambulancës për transportin e të dëmtuarit drejt qytetit të Beratit.

Mjekja Caka ka deklaruar se pas ekzaminimit të bërë prej saj rezulton se, Tare ka marrë një hematomë të lehtë në krahun e majtë, por nuk ka shembje të brendshme. Sipas Cakës, shenja që i dëmtuari kishte në kokë ishte një hematomë e lehtë përderisa pacienti orientohet në kohë dhe hapësirë, përderisa nuk ka të vjella. Mjekja Caka deklaroi se nuk e shikonte të arsyeshme ta niste Taren për në Spitalin Rajonal Berat, por ta mbante në vëzhgim në Qendrën Shëndetësore në Poliçan.

Pas kësaj, familjarët e kanë nisur të afërmin e tyre me mjete private drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pas skanerit të kryer në këtë spital ka rezultuar se i dëmtuari ka frakturë në kokë. Për këtë arsye, mjekët e Spitalit Rajonal Berat e kanë transportuar 53-vjeçarin Luan Tare (Pitikoja) në Spitalin e Traumës në Tiranë. Vetë i dëmtuari Luan Tare (Pitikoja) ka deklaruar se është rrahur nga 7 persona të Partisë Socialiate, mes tyre edhe vëllai e nipi i kryebashkiakut të Poliçanit. Tare ka deklaruar gjithashtu se ai është kërcënuar vazhdimisht gjatë 2 muajve të fundit nga anëtarët e Partisë Socialiste Poliçan për të hequr dorë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Efektivë të policisë kanë marrë deklaratën e plotë të Tares brenda ambienteve të Qendrës Shëndetësore në Poliçan dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që ende nuk ka asnjë informacion zyrtar nga DPV Berat për ngjarjen.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb