Ministrat e jashtëm që përfaqësojnë Grupin e 7 vendeve më të industrializuara po zhvillojnë takime në Londër për një sërë çështjesh botërore, përfshi marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë, grushtin e shtetit në Mianmar, konfliktin sirian dhe situatën në Afganistan.

Britania, vendi pritës, ka paralajmëruar se aktivitetet gjithnjë e më agresive të Rusisë, Kinës dhe Iranit paraqesin një sfidë për shoqëritë demokratike dhe rendin ndërkombëtar.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Dominic Raab tha se presidenca e Britanisë këtë vit e G-7-ës “është një mundësi për të bashkuar shoqëritë e hapura dhe demokratike për të demonstruar unitet në një kohë kur është shumë e nevojshme të trajtohen sfidat e përbashkëta dhe kërcënimet në rritje”.

Diplomatët kryesorë nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia po zhvillojnë bisedime dy ditore me një axhendë që përfshin grushtin e shtetit në Mianmar, krizën Tigray në Etiopi dhe situatën e pasigurt në Afganistan, ku trupat amerikane dhe aleatët e NATO-s po përfundojnë një dislokim prej dy-dekadash.

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se grupi do të diskutojë gjithashtu “veprimtarinë e vazhdueshme keqdashëse të Rusisë”, përfshirë dislokimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën dhe burgosjen e politikanit të opozitës Alexei Navalny.

Ministrat e G-7 gjithashtu do të përpiqen të bien dakord mbi një mënyrë për t’i bërë të disponueshme vaksinat e koronavirusit në të gjithë globin. Vendet e pasura kanë hezituar të japin vaksina pa imunizuar popullsitë e tyre.

Organizatorët kanë ndërmarrë hapa për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në takimin e Londrës, duke përfshirë vendosjen e barrierave plastike mes pjesëmarrësve dhe vënien në dispozicion të testeve të koronavirusit në ambjentet e takimeve.

Sekretari Raab, i cili zhvilloi bisedime paraprake me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken të hënën, pritet të nxisë anëtarët e G-7ës të sanksionojnë individë dhe subjekte të lidhura me juntën ushtarake të Mianmarit, të mbështesin embargon e armëve dhe të rrisin ndihmën humanitare për popullin e Mianmarit.

“Për Mianmarin, duam të shohim përfundimin e dhunës. Duam të shohim që regjimi ushtarak të kthehet tek demokracia dhe tek mandati elektoral që qeveria duhet të ketë për të përfaqësuar popullin e Mianmarit. Kemi qenë të qartë jo vetëm për sanksionet tona, sanksionet sipas ligjit Magnitsky, por edhe për masat më të gjera që kemi marrë për të ndaluar kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar që të bëjnë biznes me konglomerate ose biznese të kontrolluara nga ushtria e Mianmarit, dhe do të vazhdojmë të bëjmë presion në këtë drejtim”, tha sekretari britanik.

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen diplomatikisht me Korenë e Veriut për të arritur qëllimin përfundimtar të denuklearizimit të Gadishullit Korean, pas përfundimit të një rishikimi një mujor të politikave amerikane ndaj Koresë së Veriut.

Shtetet e Bashkuara pritet gjithashtu të caktojnë një të dërguar të posaçëm për çështjet e të drejtave të njeriut të Koresë së Veriut. Takimi i së martës vjen në prag të samitit të liderëve të G-7 të planifikuar të zhvillohet në qershor, po në Britani./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: