Të paktën 25 persona janë shoqëruar gjatë natës në lidhje me atentatin ku mbeti i vrarë 41-vjeçari Everest Çeka dhe u plagos bashkëshortja e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 20:10, ku në lagjen “Skënderbe”. BalkanWeb mëson se kryesisht personat janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tyre rreth dinamikës së lëvizjes së viktimës dhe gruas së tyre. Ndërkohë që nuk përjashtohet se disa prej të shoqëruarve mund të kenë dijeni për ngjarjen në fjalë dhe organizimin e vrasjes.

Paraprakisht dyshohet se krimi është kryer nga vrasës profesionistë me pagesë dhe se gjithçka ka qenë e mirëorganizuar dhe e detajuar deri në eliminimin e objektivit. Skena e krimit nuk është fiksuar nga kamera sigurie pasi në atë zonë ku ndodhi vrasja nuk ka të tilla dhe ndriçimi rrugor është mjaft i dobët. Dëshmia kyçe deri më tani mbetet ajo e bashkëshortes së viktimës, Silvana Çeka, që mbeti e plagosur si edhe një banor i lagjes “Skënderbej” që ndodhej rastësisht aty pranë në makinën e tij duke pritur për të shoqëruar të ëmën e tij për ta shoqëruar në banesë.

Ai ka pësuar gjendje shoku kur ka kuptuar nga thirrjet e bashkëshortes së 41-vjeçarit se vetëm pak metra larg tij është vrarë me armë një person që ishte në makinë dhe ka fiksuar dy persona me pistoletë kur po largoheshin ndërsa kishin kryer vrasjen. Ata dyshohet se i kanë zënë pritë dhe i kanë bllokuar rrugën 41-vjeçarit që ekzekutuan vetëm pak çaste pasi ai dhe bashkëshortja kishin dalë nga shtëpia e prindërve të saj në lagjen “Skenderbej. 41-vjeçari ka qenë duke qarkulluar me një makinë tip “Opel”, e cila është larguar me karroatrec nga vendi i ngjarjes, vetëm pasi ekspertët e kriminalistikës këqyrën çdo provë të mundshme. Po ashtu mësohet se viktima mori një plumb në kokë dhe një në gjoks, ndërsa gjeti vdekjen e menjëhershme në timon. Ndërkohë që bashkëshortja e tij mbeti e plagosur në dorë, ndërsa mendohet se ndaj tyre është qëlluar me silenciator.

Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shkak i vrasjes së 41-vjeçarit ka të bëjë me të shkuarën tij, kjo pasi Çaka ka lidhje me persona me të shkuar kriminale që kanë mbetur të vrarë pak vite më parë. Sipas të dhënave zyrtare rezulton se viktimës më herët i është vrarë një nga vëllezërit në Barcelonë dhe kushëriri i parë në Belgjikë, Ardit (Arjan) Spahiu, i cili ishte vëllai i kunatit të Erion Alibejt, i arrestuar nga prokuroria e Elbasanit si person i dyshuar për urdhërimin e organizimit të dy vrasjeve. Kujtojmë se Alibej, organizatori i dy vrasjeve që tronditën qytetin e Elbasanit, më 20 dhe 29 korrik, ka porositur vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe shokut të tij, Regis Runajt në Elbasan.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb