BULQIZE – Përfaqësues të subjekteve minerare në Bulqizë, i kanë kërkuar ministrit të Financave Shkëlqim Cani, të rishikojnë masën e çmimit të referencës dhe të rentës minerare, pasi sipas tyre, çmimi i mineralit të kromit ka rënë ndjeshëm në treg, e për pasojë shpenzimet janë shumë më të mëdha se fitimet.
Për të mos shkuar deri në pikën e uljes së fuqisë punëtore, që do të ndikonte negativisht në jetën e qytetarëve të Bulqizës, ata i kërkuan ministrit Cani që të rishikojë vlerën prej 6% të çmimit të referencës dhe rritjen e rentës minerare në shitjet e brendshme.
“Që në nëntor të 2012-ës janë vendosur disa çmime reference dhe mbi këto çmime reference ne penalizohemi në lidhje me rentën minerare. Sot çmimi është përtokë. Të paguash 6% të një çmimi të referencës, që është shumë i lartë, absolutisht që kjo duhet parë patjetër. 6% është i mineralit të thatë, jo mineralit të lagur. E gjithë bota operon me mineral të thatë, jo me mineral të lagur. Na ka rritur prap rentën në shitjet e brendshme, jo pak por në mënyrë të konsiderueshme. Në 6% nuk ka futur vetëm vlerën e tatueshme, por 6% e vlerës totale të faturës me gjithë TVSH.”- deklaroi Eduart Keta, biznesmen kromi.
“Këto do ishin dy pikat kryesore që ne do na kishin ndihmu.”- u shpreh Edmond Isaku, biznesmen kromi.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se bashkë me ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri kanë nisur takimet për të rishikuar detyrimet e industrisë së kromit, si dhe gjatë javës në vijim do të dalin me një vendim të përbashkët për ta lehtësuar sadopak këtë industri, në mënyrë që të mos ketë shkurtime të punëtorëve.
Por, sipas ministrit Cani, kjo lehtësi nuk do të jetë as shumë favorizuese për industrinë, e as shumë e lartë, pasi edhe vetë buxheti varet nga këto të ardhura.
“Ne do të përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje që t’i vijmë në ndihmë edhe industrisë, kuptohet që problemi do të pasohet dhe në qeveri dhe shpejt do duhet të marrë edhe ajo vendimet përkatëse. gjithnjë flasim në mbështetje të mbajtjes në punë të punëtorëve, që të mos krijojmë probleme në familjet shqiptare.”- u shpreh ministri Shkëlqim Cani.
(er.nu/news24/BalkanWeb)