Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Konferencën e parë Ndërkombëtare organizuar në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog, që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë panelit “Gratë, Paqja dhe Siguria – një këndvështrim nga Ballkani Perëndimor”, Ministrja Xhaçka bëri një rezyme të situatës lidhur me të drejtat e grave dhe përfshirjen e tyre në jetën publike, ndërsa sugjeroi hapa të rëndësishëm për sigurimin e objektivave të kësaj axhende.
“Si një anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit, Shqipëria synon të kontribuojë në ruajtjen dhe forcimin e rendit shumëpalësh të bazuar në adresimin e sfidave globale dhe promovimin e paqes dhe sigurisë. Një nga përparësitë tona gjatë mandatit dy vjeçar, janë të drejtat e grave e vajzave, pasi jemi të bindur se ndërtimi dhe ruajtja e paqes është e mundur vetëm kur gratë janë të përfshira. Ne besojmë fuqimisht se të drejtat e grave dhe zërat e tyre janë thelbësore për të drejtat e njeriut, demokracinë, sigurinë dhe prosperitetin. ”, u shpreh ministrja në fjalën e saj.
Ministrja Xhaçka po merr pjesë në forumin dyditor të Prespës, organizuar nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.