TIRANË
Gazetarja Klodiana Lala siguron për “BalkanWeb” dosjen e SPAK për abuzimin e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, që kapte vlerën e 2.8 miliardë lekëve.
Në pjesën e dosjes, që “BalkanWeb” sjell më poshtë, tregohet se një anëtare e Njësisë së Prokurimit, përkatësisht inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, nuk e ka firmosur tenderin, duke ngritur madje shqetësimin për abuzimin që po bëhej, por që sipas SPAK, “Ky shqetësim i saj për përcaktimin e sasive të pritshme të artikujve të uniformës është shfaqur tek anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit, por nuk është dokumentuar me ndonjë procesverbal konkret, përveç mosnënshkrimit të asaj të tabelave të mësipërme”.
Siç tregohet në dosjen e SPAK, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh.
Pjesë nga dosja e SPAK:
Nga ana e Njësisë së Prokurimit në përcaktimin e artikujve të uniformës që kërkohen nga Autoriteti Kontraktor, është vendosur të përshtasë për një pjesë të madhe të sasive të pritshme të artikujve të uniformës (për 81 artikuj) me çmime për njësi të dërguara nga Autoriteti Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe fondin e përgjithshmë të marrëveshjes kundër, me të cilin është publikuar procedura e prokurimit, fond i cili nuk ka ndryshuar nga autoriteti kontraktor. Gjithashtu, nga Njësia e Prokurimit është bërë përllogaritja e fondit limit pas ndryshimit të specifikimeve teknike, datë 15.10.2019, ku është përcaktuar çmimi për njësi, sasitë e pritshme dhe vlera totale pa TVSH, e cila është përllogaritur në shumën 2.800.347.570 (dy miliardë e tetëqind milionë e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) Lekë. Procesverbali Nr.3, i Hartimit të Shtojës, nuk është nënshkruar në faqet 16 deri 19 nga anëtari i Njësisë së Prokurimit, Aurora Mulla, Inxhiniere tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe nuk është nënshruar nga anëtari i Njësisë së Prokurimit, Aurora Mulla, as tabela e përllogaritjes së fondit limit pas ndryshimeve të specifikimeve teknike.
E pyetur për këtë fakt, anëtarja e Njësisë së Prokurimit, shtetasja Aurora Mulla, me profesion inxhiniere tekstile, përfaqësuese e Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka deklaruar se fillimisht ajo ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e specifikimeve teknike të uniformës dhe këpucëve, caktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pasi nga ana e këtij grupi pune janë hartuar specifikimet teknike, termat e referencës dhe kriteret e veçanta që duhet të plotësohen operatorët ekonomikë, ky dokumentacion është bërë pjesë e dosjes dhe së bashku me dokumentet e tjera teknike janë dërguar për të ndjekur procedurën e prokurimit në Agjencinë për Blerjen e Përqendruar (ABP). Në vijim, ajo ka vepruar si anëtare e Njësisë së Prokurimit, caktuar me urdhër të Titullarit të Organit Qendror Blerës Agjencisë së Blerjes së Përnqedruar nr.47 prot, datë 11.07.2019, si specialiste e fushës inxhiniere tekstile.
Nga Njësia e Prokurimit është hartuar proceseverbali nr.1, datë 24.07.2019 “Mni hartimin e dokumenteve të tenderit me objekt blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të policisë së shtetit”. Pasi janë hartuar dokumentet standarde të tenderit, i janë dërguar për asistencë Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), me qëllim dhënien e një opinioni më të specializuar. APP pasi ka bërë komentet e saj në lidhje me disa cështje, të cilat pasi u reflektuan në dokumentacion, u mbajt procesverbali nr.2 datë 25.07.2019 dhe nga ana e Njësisë së Prokurimit janë hartuar dokumentet e tenderit, të cilat më pas janë ngarkuar në Sistemin Elektronik të Prokurimit (SPE), të APP.
Me shkresën nr.2317/16 prot, datë 27.09.2019, të Autoritetit Kontraktor DPPSH, janë dërguar praktikat për ritestimin e tregut dhe janë hartuar shtojcat në lidhje me DSP dhe është mbajtur procesverbali nr.3, datë 15.10.2019 “I hartimit të shtojcës”. Më pas Njësia e Prokurimit ka proceduar me hartimin e DST, të ndryshuara dhe është bërë publikimi i DST të ndryshuara, në SPE. Ajo ka deklaruar se shumatorja e çmimeve për njësi ka ndryshuar si rezultat i përfshirjes së sistemit elektronik të shpërndarjes në koston e artikujve të uniformës, mënyra e përllogaritjes së testimit të tregut duke marrë prë bazë çmimet mesatare, si dhe për shkak të ndryshimit të specifikimeve teknike. Duke qenë se është bërë rishikimi i specifikimeve teknike dhe ndrysimi i tyre, si dhe ndryshimi në termat e referencave të sistemit të shpërndarjes së uniformave, këto ndryshime kanë bërë që të përllogaritetet edhe njëherë kostoja e shërbimit të prodhimit dhe shpërndarjes së uniformave të policisë, pra lindi i nevojshëm edhe ristestimi i tregut. Në lidhje me kriteret e përcaktuara nga Njësia e Prokurimit në pikën 11 të hartimit të dokumenteve standarde të tenderit, certifikata konformitetit për këpucët, EN ISO 20344-2011 dhe EN ISO 20347-2012 O3 HRO HI CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 O2 HRO HI CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 të modelit B-O2 CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 të modelit A-O2 CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 O2 CI ER FO SRC ose Ekuivaletet, mungesa e njërës prej certifikatave të mësiperme, është kusht për skualifikim të operatorëve pjesëmarrës në tender…
Ajo ka deklaruar faktin se në procesverbalin nr.3, datë 15.10.2019 “i hartimit të shtojcës për disa ndryshime në dokumentet e tenderit të procedurës së prokurimit”, ky procesverbal nuk është nënshkruar nga ana e saj nga faqja nr. 16 deri në faqen 19, ku është përshkruar tabela për sasitë e pritshme të artikujve të uniformës, si dhe nuk është nënshkruar nga ana e saj tabela e përllogaritjes së fondit limit pas ndryshimit të specifikimeve teknike, e cila është bashkëlidhur këtij procesverbali. Ajo nuk ka pranuar t’i nënshkruajë këto dy tabela për faktin se ishin bërë ndryshime nga anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord. Si dhe nuk ka nënshkruar as dokumentet standarde të tenderit te dokumenti “Sasia dhe grafiku i lëvrimit”, te tabela “Sasia e pritshme të uniformave që kërkohen”, e cila përbën faqen 64-67 të dokumenteve standarde të tenderit të ndryshuar. Ky shqetësim i saj për përcaktimin e sasive të pritshme të artikujve të uniformës është shfaqur tek anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit, por nuk është dokumentuar me ndonjë procesverbal konkret, përveç mosnënshkrimit të asaj të tabelave të mësipërme.
(BalkanWeb)