TIRANË

Administratori i kompanisë “Alba Exotic Fruit”, në të cilën u sekuestruan ditën e djeshme 11 kg e 675 gr kokainë, Eduart Dauti, foli në një lidhje për “News24” dhe “BalkanWeb” lidhur me drogën e kapur.

Në një lidhje nga Franca, i shpallur në kërkim, Dauti mohoi që droga të ketë lidhje me të, duke iu kërkuar autoriteteve shqiptare të hetojnë dhe të zbulojnë porositësit dhe trafikantët e vërtetë të lëndës narkotike, raporton “BalkanWeb”.

Intervista e administratorit të kompanisë “Alba Exotic Fruit”:
Cili është pozicioni juaj?
Nuk është hera e parë që jam pikasur nga autoritetet shqiptare për gjurmën e trafikantit. Është hera e dytë që po më ndodh, hera e parë ka qenë para 2-3 vitesh dhe në atë kohë më shpëtoi DEA dhe autoriteteve shqiptare ju mora dhe orizin. Këtë radhë, më kanë arrestuar vëllain në flagrancë.

Unë ndodhem në Francë me familjen time, kam ardhur për ditëlindjen e vajës. Erdha për të festuar 10-vjetorin e vajzës dhe më ngeli në fyt. Sot kisha biletën e kthimit dhe nuk erdha nga frika se do më vinin prangat.

Çfarë përgjegjësie keni për drogën e kapur?
Unë si tregtar importoj vetëm fruta. Fruta kam në kontejner, asgjë tjetër. Çfarë ndodh jashtë nuk kam asnjë lloj përgjegjësie. Aty kanë të bëjnë autoritetet gisht. Përgjegjësia ime është vetëm pas skanerit. Pasi kalon në skaner, mua më jepet konfirmimi për ta marrë. Asgjë nuk vjen te ne pa kaluar më parë në skaner dhe ne të gjithë e dimë se po kalove në skaner, je i zënë. Kush e rrezikon veten e vet për 10 kg drogë.

Pse ju në të dy rastet?
Kriminelët ndoshta kërkojnë rrugët, siç jam unë që kam një kontratë nga Pirues. Unë di të them që kam vetëm fruta. Nuk kam asnjë lloj aksesi në Portin e Durrësit, për të kontrolluar kontejnerët. Kanë vetëm autoritetet portuale akses aty. Edhe sa vite jetë kam unë, që të rrezikoj jetën time, duke e ditur që në skaner unë jam i mbërthyer. Edhe nëse një banane të vjen mangët, skaneri ta kupton dhe ta nxjerr me të kuqe. Është shumë e thjeshtë për ta kuptuar këtë situatë. Ka kriminelë në portin e hyrjes dhe të zbritjes, se janë në Portin e Durrësit apo të Pireut, këtë nuk e them dot, nuk kam fuqi ta hetoj.

Do të ktheheni?
Doja të kthehesha sot, por nuk isha aq trim, sa të vija, se do më vinin prangat. Më kanë arrestuar një vëlla. Krimineli nuk ka çfarë humbet, se humbi disa dollarë, por unë humbas milionat e mi, humbas dinjitetin. Jam i gatshëm të përballem, por nuk dua të më vënë prangat sa të vij në aeroport, sikur të jem kriminel. Unë drejtësi kërkoj, ne vuajmë për drejtësi. Pse nuk e lanë drogën të kalonte dhe ta shikonin kush do ta merrte. E kanë të lehtë t’i vënë prangat direkt biznesit, por të inkriminuarit janë vetë ata të Portit, vetëm ata kanë akses. Kaq pabuks jam, kaq i uritur? Pse duhet ta bëj një gjë të tillë. Unë e kam biznesin të suksesshëm, është fitimprurës, dhe jam i lumtur për këtë. Pse duhet të rrezikoj jetën tim dhe sot po fshihem si miu.

Nuk ndjeni asnjë përgjegjësi, por pse duhet të përfshiheni ju?
Ne nga ky biznes po jetojmë, javë për javë kam kontejner. Se jam i pikasur nga kriminelët, duhet ta bëjë shteti punën, nga ta di unë. Nuk po bëjmë dot biznes, nuk shkoj dot në Portin e Durrësit. Herën e kaluar më shpëtoi DEA, se ata bënë hetimin e saktë dhe ua zhdukën orizin, i lanë pa pilaf e pa sultjash.

Nga se keni frikë ju?
Kam frikë nga padrejtësia, nga asgjë tjetër. Nëse ka drejtësi dhe gjykohet saktë, të bëhet një hetim dhe të shihet kush e sjell drogën, kush e importon. Unë nuk jam as importues, as shitës, as blerës. Nuk kam lidhje fare me këto gjëra. Nëse jam unë përgjegjës, 7 pashë nën dhe të më fusin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb