Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi ecurinë e punimeve për ndërtimin e kampusit shkollor në Kodër Kamëz, pjesë e të cilit janë dy shkollat “Nënë Tereza” dhe “J.F. Kennedy”, shtrirë në afro 12 mijë metër katrorë dhe ku pritet që të kryejnë ciklin mësimor parauniversitar të paktën 1300 nxënës.
“Është një ditë shumë e mirë për Kodër Kamzën. Kemi hyrë në fazën e fundit të këtij kompleksi shkollor. Dikush mund të lindë në Kodër Kamëz dhe nga mosha 3-4 vjeç kur fillon parashkollorin, vazhdon 9-vjeçaren, gjimnazin, nëse do edhe universitetin, apo edhe pas universitarin, mund të vazhdojë të jetë këtu deri në 23, apo 24 vjeç. Kjo do të thotë që për 20 vite të jetës, ku, një fëmijë tipik i Kodër Kamzës kalonte një përqindje të kohës vetëm me vara-vingo për të shkuar në qendër të Tiranës për një shkollë më të mirë, këtyre mundimeve iu vjen fundi. Brenda këtij viti ne do të përgatitemi për hapjen e këtij kampusi, kampusi ndoshta më i madh shkollor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, por edhe më i bukur. Më vjen mirë edhe për “feedback”-un që morëm nga Stefano Boeri për mënyrën se si ka avancuar projekti! Tani duhet të kujdesemi për detajet e fundit, të sigurohemi që të punojmë gjatë gjithë kësaj stine të mbetur që para fundit të vitit ne t’i japim këtë bizhu arsimore komunitetit të Kodër Kamzës,” u shpreh Veliaj.
Duke qenë se ndodhemi në periudhë regjistrimesh në shkolla, Veliaj kishte një thirrje për të gjithë prindërit, që të mos synojnë institucionet larg vendbanimeve të tyre.
“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, tani që kanë filluar regjistrimet, po hapen shumë shkolla të reja në Tiranë, edhe në Tiranën periferike, edhe në Tiranën e vjetër urbane, të respektojmë atë që thotë gjendja civile regjistri i nxënësve dhe ligjet e këtij shteti, që, secili të regjistrohet tek shkolla më e afërt. Infrastruktura është pothuajse njësoj kudo.
Ndërkohë që edhe me portalin e mësueseve, mësuesit nuk zgjedhin më shkollat preferenciale, pra nuk ka më asnjë arsye pse të ushtrojmë trysni për një shkollë ku fëmijës i duhet një orë me furgon në trafik të kalojë nga një cep i qytetit në tjetrin. Orët e kaluara në trafik mund të jenë orët ku fëmija merr një kurs sportiv, një kurs muzike, apo gjuhe të huaj,” deklaroi kryetari i Bashkisë.
Veliaj siguroi se me standardin e njëjtë të shkollave si në qendër ashtu edhe në periferi, Bashkia kujdeset për një start të barabartë për çdo fëmijë.
“Parimi ynë ka qenë që një fëmijë në Kodër Kamëz do duhet të ketë të njëjtin shans si në Kombinat, si në Kinostudio apo në bllok. Detyra jonë si Bashki është që tu ofrojmë të gjithëve një shans të barabartë për t’ia nisur. Unë besoj fort që me këtë infrastrukturë nuk ka asnjë justifikim se kush është i mirë e kush punon fort arrin të shkëlqejë njëlloj, si nga Kodër Kamza, si nga Blloku, Kinostudio, apo Kombinati,” tha ai.