Shoqata e bizneseve në vendin tonë i bën sërisht thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve që të shtyhet ora policore.
Përmes një kërkese zyrtare, shoqata thekon se referuar masave në fuqi aktualisht, bizneset po përballen me vështirësi ekonomike për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Sipas Shoqatës, ora policore aktuale, që nis në 00:00, dhe përfundon në 06:00 i pengon bizneset (muzika lejohet deri në orën 22:00).
KËRKESA E SHOQATËS SË BIZNESIT
Referuar masave në fuqi të VKM dhe Komitetit Teknik të Ekpertëve në kuadër të pandemisë së Covid-19, kërkojmë lehtësira nga ju, pasi ne si biznese po përballemi me vështirësi ekonomike. Ora policore ende në fuqi, na privon nga aktivitetet që ne si biznese (lokale) zhvillojmë; (dasma, gëzime familjare e cermoni të tjera), duke na ushtruar presion të vazhdueshëm dhe nuk na lejojnë të zhvillojmë normalisht aktivitetin tonë ekonomik, brenda orarit të lejuar nga institucionet, çka na vështirëson së tepërmi ekonominë, gjë e cila reflektohet edhe te të ardhurat familjare të çdo drejtuesi biznesi.
Për këtë arsye kërkojmë të rishikohen masat në fuqi, duke patur parasysh edhe numrin e ulët të rasteve me infektime nga covid 19, ashtu sikurse edhe vdekshmërinë. Goditja që kemi marrë nga një vit mbylljeje për shkak të pandemisë së covid 19, dhe orës policore ende në fuqi, do të na e vështirësojë akoma dhe më shumë ekonominë dhe financat, duke na cuar drejt falimentit.
Është e udhës të gjendet një zgjidhje dhe reagim sa më i shpejtë nga ana juaj, në te kundërt edhe ne referuar rregullave e ligjeve në fuqi do të reagojmë.
Duke ju falenderuar,
Shoqatat e bizneseve
(BalkanWeb)