TIRANË
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për media pas takimit me zv.kryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.
Jashtë selisë blu, Basha vlerësoi zv.kryeministrin Abazoviç, duke e cilësuar atë një etalon të guximit, ndërsa theksoi se ka diskutuar me të tema që nga demokracia, e deri te politika reale.
“Sot kam një kënaqësi unike, kënaqësinë e mikëpitjes të zëvëndës kryeministrit të parë shqiptarë të fqinjit tonë verior, Republikës së Malit të Zi, zotin Dritan Abazoviç. Kariera politike e të cilit është ndërtuar mbi përvojën e gjatë të një aktivisti, të një studiuesi dhe përpiluesi të tezave politike për ballkanin, europën dhe globalizmin dhe është faktuar në luftën e pabarabartë por të domosdoshme për një shoqëri dhe për një vend midis forcave për liri, demokraci dhe dinjitet njerëzor dhe rrezikut permanent të autokracisë.
Sy dyti, është një kënaqësi e veçantë sepse interesi i Partisë Demokratike dhe i imi personal për fqinjin tonë verior e në veçanti për bashkëkombasit tonë në Malin e Zi, ka qenë dhe mbetet permanent dhe gjatë bisedës së sotme konstatova me kënaqësinë më të madhe se përkushtimi i zëvëndës kryeministrit Abazoviç tashmë bën diferencën e dëshiruar prej dekadash nga shqiptarët aty dhe në tërësi nga qytetarët e Malit të zi, por edhe nga Partia Demokratike qoftë në qeverisje apo në opozitë. Temat tona të diskutimit natyrisht kanë variuar nga demokracia tek politikat rajonale dhe tek objektivat që na përbashkojnë, zhvillimi ekonomik i vendeve dhe i popujve tanë dhe integrimi europian i dy vendeve tona pas përmbylljes me sukses të sfidës së Malit të Zi për tu antarësuar në NATO si anëtari më i ri, natyrisht edhe me mbështetjen e Shqipërisë. Ndaj dua ti uroj edhe personalisht për këtë vizitë të parë zyrtare në Tiranë dhe në selinë e Partisë Demokratike, sukses në misionin e tij fisnik, sfidues si zevendes kryeministër i qeverisë së Republikës së Malit të Zi dhe si një etalon i guximit për të modernizuar dhe vënë në funksion të qytetarëve politikën si një instrument ndryshimi”, tha Basha.
(BalkanWeb)