Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e gjyqtarit më të ri të Gjykatës së Lartë, z.Asim Vokshi.

Kryetari i Shtetit, në datën 23 korrik 2021, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Asim Vokshi si anëtari më i ri në Gjykatën e Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

Presidenti Meta, pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidim në datë 09.07.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përmes Dekretit nr. 13188, datë 29.7.2021, ka vendosur që:

• Zoti Asim Vokshi të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë bëhet me 9 (nëntë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë.

Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë, “mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore, të cilat dukshëm të krijojnë bindjen se trajtimi ligjor dhe administrativ i procesit të promovimit në karrierë në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit, të cilët ishin dhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, është zvarritur në mënyrë të qëllimtë, duke i mbajtur ata nën presion të vazhduar politik, deri sa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përfundonin dhe të shpreheshin me vendim mbi procedurat ankimore që do t`u paraqiteshin si rezultat i ankimeve mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021”.

“Nëse KLGJ do të kishte vepruar me ritme më të shpejta në procesin e vlerësimit me pikë në këtë proces të ngritjes në detyrë të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, do të ishte shmangur çdo dyshim se procesi i promovimit në karrierë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, është shtyrë në kohë, apo përmes ndryshimeve ligjore është deformuar, me qëllim për t’i mbajtur ata nën trysni të vazhduar deri sa të përfundonin procedurat ankimore mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

Mbi vonesat e pajustifikuara të KLGJ-së për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e plotë gjyqësore, si dhe lidhur me përpjekjet e mazhorancës për të shtrembëruar implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë përmes ndërhyrjeve në legjislacion për të ndikuar në pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor dhe në veçanti të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, Presidenti i Republikës, ka mbajtur qëndrim parimor, konsistent dhe në mënyrë të vazhduar përmes 9 (nëntë) akteve shkresore të bëra publike drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, por dhe përmes Dekretit nr. 11 797, datë 22.10.2020, për kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor të 5 tetorit realizuar me ligjin nr. 118/2020, si dhe përmes Dekretit nr. 13 023, datë 14.04.2021, “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 45/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”, shprehet Kreu i Shtetit.

Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, në respekt e përmbushje të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ka vlerësuar të shprehet me Dekret për emërimin e zotit Asim Vokshi, si anëtarin më të ri të Gjykatës së Lartë, por gjithashtu vlerëson të domosdoshme të bëjë edhe një herë thirrrje publike, gjithë institucioneve dhe aktorëve se,

– Pavarësia e sistemit të drejtësisë, sidomos për gjyqtarë të karrierës, duhet të garantohet jo vetëm në dukje, por dhe në themel të saj.
– Vetëm kjo rrit besimin e gjithë shoqërisë tek sistemi i drejtësisë që duhet të sigurojë në vijimësi një staturë, që garanton pavarësi të gjyqtarëve dhe veprimeve të paanshme të shërbimit publik gjyqësor në tërësi.
– Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe gjithë institucionet e tjera shtetërore të përfshira në këtë proces, duhet të angazhohen seriozisht dhe jashtë çdo ndikimi, për bërjen sa më shpejt dhe plotësisht funksionale të Gjykatës së Lartë.
– Funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit, është me rëndësi jetike për vendin. Kjo pjesë e sistemit të drejtësisë është pranuar nga KLGJ dhe aktorët e tjerë se po shkon drejt kolapsit të plotë.
– Kjo situatë lidhet direkt me procesin e integrimit europian, stabilitetin e Shqipërisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pjesë thelbësore të të cilave janë aksesi i plotë në sistemin e drejtësisë dhe dhënia e drejtësisë brenda një afati të arsyeshëm.

Ndaj dhe vëmendja e KLGJ-së dhe institucioneve të tjera përgjegjëse duhet të jetë e shtuar në këtë drejtim.
V.O Për të kuptuar më në themel arsyet e këtij qëndrimi me rezervë të Presidentit të Republikës, bashkëlidhur njihuni me kronologjinë e përmbledhur të rastit.

DEKRET
PËR
EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS SË LARTË

Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pas administrimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 23.07.2021, të propozimit të përcjellë me shkresën me nr. 3504/2 prot., datë 22.07.2021 dhe Vendimit nr. 322, datë 22.07.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatit z. Asim Vokshi”, shoqëruar me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë/emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidim me vendimin nr. 245, datë 9.07.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, vendosa të:

DEKRETOJ:
Neni 1
Zoti Asim Vokshi emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 13188
Tiranë, më 29.07.2021

PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb