TIRANË

Gjykata e Lartë ka shqyrtuar vendimin për fitimin e gradave policore, ku ka arritur në përfundimin se gradat nga niveli “Nënkomisar” deri në nivelin “Drejtues i Parë”, duhet t’i nënshtrohet domosdoshmërisht procedurës së vlerësimit konkurrues.

Në vendimin e publikuar sot, Gjykata thekson se “plotësimi i kritereve formale për fitimin e gradës, si vjetërsia në gradën pararendëse dhe/ose ushtrimi efektiv i funksionit në përputhje me gradën e pretenduar, nuk mund të sjellin fitimin gjyqësisht të gradës policore, pa iu nënshtruar më parë punonjësit e Policisë së Shtetit një procesi vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë:

Gjykata e Lartë vlerëson me rëndësi koherencën në praktikën gjyqësor, si dhe interpretimin e drejtë dhe uniform të ligjit nga ana e të gjitha gjykatave të faktit të Republikës së Shqipërisë. Në vazhdën e publikimit të vendimmarrjes së kolegjeve të Gjykatës së Lartë, në ndihmë zbatuesve të së drejtës dhe opinionit publik, Kolegji Administrativ i kësaj gjykate njofton se në datën 15.07.2021, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative me nr.31003-01562-00-2018 Regjistri Themeltar, e cila shënon vendimin e parë njësues të këtij Kolegji në fushën e të drejtës administrative.

Në përfundim të këtij gjykimi, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konkludoi në sentencën unifikuese:

Procesi i fitimit të gradave policore nga niveli “Nënkomisar” deri në nivelin “Drejtues i Parë”, duhet t’i nënshtrohet domosdoshmërisht procedurës së vlerësimit konkurrues, sipas parashikimeve të neneve 50-60 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Plotësimi i kritereve formale për fitimin e gradës, si vjetërsia në gradën pararendëse dhe/ose ushtrimi efektiv i funksionit në përputhje me gradën e pretenduar, nuk mund të sjellin fitimin gjyqësisht të gradës policore, pa iu nënshtruar më parë punonjësit e Policisë së Shtetit një procesi vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb