Një situatë alarmante është krijuar në fshatin Gjorm të Vlorës, ku zjarri ka shkrumbuar disa banesa dhe qindra hektarë tokë, raporton “BalkanWeb”.

Në një lidhje telefonike për “News24”, gazetari Enrik Mehmeti tha se zjarri është favorizuar edhe nga era e fortë, që vështirëson ndërhyrjen nga ajri me helikopterë.

Sipas gazetarit Mehmeti, banorët janë evakuuar nga fshati, ndërsa bëjnë apel që të ndërhyhet sa më shpejt, për të shpëtuar banesat e tyre nga flakët.

“Situata paraqitet problematike jo vetëm në Karaburun, ku zjarri po afrohet Llogarasë, por edhe në fshatin Gjorm. Janë djegur banesa, njerëzit janë larguar, por duhet ndihma nga ajri. Në këto momente ndihma nga ajri është e pamundur, për shkak të erës. Janë djegur qindra hektarë tokë në fshatin Gjorm dhe në rrethinat e tij. Është vetëm një automjet zjarrfikës, pasi të tjerat janë përqendruar në qytetin e Vlorës. Pritet të ketë ndihma të tjera për të ndërhyrë.

Forcat e Ushtrisë janë duke punuar intensivisht në Llogara, për të evituar djegien e Parkut Kombëtar. Pritet që edhe forca ushtrie të afrohen në fshatin Gjorm, por deri më tani nuk ka asnjë ndihmë. Evakuimi i banorëve është bërë nga ana e strukturave të zonës. Zjarri ka qenë e pamundur të mbahet nën kontroll. Bëhet fjalë për një zjarr të qëllimshëm. Janë shkrumbuar me qindra ullishte e pemë. Banorët nuk kanë bërë rezistencë gjatë evakuimit, por apelojnë për ndihmë. Ata që rrezikojnë t’iu digjen banesat bëjnë apel të ketë ndërhyrje të shpejtë për të shpëtuar banesat e tyre”, tha gazetari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb