TIRANË

Dy të burgosur kanë tentuar pasditen e kësaj të diele të arratisen nga burgu i sigurisë së lartë ‘313’ në Tiranë.

 

Gazetarja Klodiana Lala, raportoi për “BalkanWeb”, se dy të burgosurit që kanë tentuar të arratisen, janë Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri.

 

Sipas gazetares, ata kanë qenë në zonën e ajrimit kur kanë tentuar të arratisen me një litar të improvizuar.

 

Kush janë Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri dhe për çfarë akuzohen

Arbër Çekaj është arrestuar nga Policia në vitin 2018, pasi në kontejnerët e kompanisë së tij “Arbri Graden”, është sekuestruar një sasi rekord kokaine, më konkretisht 613 kilogramë. Asokohe rezultoi se Çekaj të ishte larguar nga Shqipëria tre ditë para se të sekuestrohej kokaina në Portin e Durrësit.

 

Sipas sistemit TIMS, ai është nisur nga Rinasi me destinacion Gjermaninë, pasi në këtë vend udhëtonte shpesh. Sipas dosjes që ndodhet në prokurorinë e Krimeve të Rënda hetimi për kokainën është regjistruar në datën 27, pikërisht në ditën kur automjeti bashkë me kontenierin ka dalë nga kalata për t’u zhdoganuar, pra pak orë përpara se të zhvillohej operacioni antidrogë.

Pasi mjeti dhe kontenieri kanë qëndruar në port për 19 ditë, shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri i “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj janë paraqitur për të kryer zhdoganimin. Siç thuhet në dosje, ky proces ka zgjatur katër orë, ku dhe është konstatuar nga hetimi doganor shqiptar që ka njoftuar menjëherë autoritetet për dyshimet. Ndërkohë arrestimi i Çekajt është bërë në shtetin gjerman, ndërsa ai është dënuar nga autoritetet shqiptare me 14 vite burgim.

 

Kujtojmë se në muajin prill të këtij viti, është vendosur në pranga dhe babai i Arbrit, 72-vjeçari Selim Çekaj. Ky i fundit ditën e djeshme kërkoi zbutje të masës së sigurisë, nga arrest me burg, në arrest shtëpie, por kjo kërkesë u refuzua nga GJKKO. Pikërisht një ditë pasi Gjykata e Posaçme dha këtë vendim, djali i tij, Arbri, u përpoq të arratisej nga burgu.
Ai nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e ngritura dhe dënimin e dhënë, duke pretenduar se persona të tjerë kanë shpifur dhe implikuar atë në trafikimin e kokainës. Çekaj ka pretenduar në rrëfimet e tij në Gjykatë se është i pafajshëm dhe se është bërë “kurban” nga politika, për të dhënë idenë e “arrestimit të peshqve të mëdhenj”.

I burgosuri tjetër që ka tentuar të arratiset është Fatmir Pjetri. Ai ka qenë pjesëtar i “bandës së Babagjyshërve”33-vjeçari, lindur në Pukë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

NGJARJET KU ËSHTË PËRFSHIRË PJETRI

Burime zyrtare bëjnë me dije se Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (Babagjyshët) që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

 

Disa nga episodet:

 

Në datë 28.09.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit A. B., në Kuçovë;

 

Në datë 05.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit S. R., në Laç;

 

Në datë 25.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit P. B., në Fushë-Krujë;

 

Në datë 24.12.2013 është vjedhur me armë argjendaria në një qendër tregtare në Tiranë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol The Hague, u bë i mundur arrestimi i tij në Holandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

 

Pjetri, në 20 dhjetor të 2014 deklaroi në një lidhje telefonike për ‘Neës24’ se ishte i pafajshëm dhe nuk mori përsipër asnjë prej akuzave. Gjatë intervistës i riu tha se policia e kishte dhunuar dhe se për këtë arsye ai nuk dorëzohej.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb