Deputetët e Kosovës do t’i drejtohen sot Kuvendit të Kosovës, në seancën e fundit të paraparë për sesionin pranveror. Kuvendi do të procedojë me tri pikat e mbetura nga seanca e mbajtur më 6 gusht për të vazhduar më pas me seancën e re.

Kështu, pas ezaurimit të dy pikave të zakonshme, deklaratat jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të shqyrtojë Projektligjin nr. 08/L-024 për ratifikimin e Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar, si dhe të zgjedh Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Seanca do të vijojë me shqyrtimin e raporteve vjetore (për vitin 2020) të pesë institucioneve të pavarura: Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, si dhe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2020.

Kjo seancë, e cila pritet të jetë e fundit për këtë sesion, do të përmbyllet me shqyrtimin e propozimit të Grupit Parlamentar të Listës serbe për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar.

Kuvendi fillon punimet e sesionit vjeshtor të hënën e dytë të muajit shtator, ashtu siç është parashikuar në rregullore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: