ELBASAN

Arrestohet një 30-vjeçar në kërkim prej një viti në Elbasan, pasi nuk iu bind urdhrit të Policisë duke dëmtuar dhe mjetin e tyre.

Edison Kaçaniku është arrestuar sot pasi ishte në kërkim për një ngjarje të ndodhur një vit më parë, kur iu largua Policisë me shpejtësi dhe nga dritarja hodhi një send të fortë që dëmtoi automjetin e tyre.

Po ashtu në rrugë hodhi dhe një armë zjarri pistoletë. Kaçaniku ka pasur masën e arrestit me burg për këtë çështje teksa ishte në arrati ndërsa pasagjeri që ndodhej në automjet me të, J.Xh., është arrestuar më parë.

NJOFTIMI NGA POLICIA
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Elbasan, në vijim të kontrolleve të ushtruara për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin Edison Kaçaniku, 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Shkallës Parë Elbasan, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
NGJARJA
Më datë 16 korrik 2020, Forca e Posaçme “Shqiponja”, e DVP Elbasan, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Fiat”, me drejtues shtetasin Edison Kaçaniku dhe pasagjer shtetasin J. Xh. (i cili është arrestuar më parë). Pas shenjës për ndalim, këta shtetas nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por janë larguar me shpejtësi dhe në ecje e sipër kanë hedhur nga dritarja e mjetit të tyre një send të fortë duke e dëmtuar mjetin e Policisë. Në tentativë për t’u larguar kanë hedhur në rrugë dhe një armë zjarri pistoletë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb