Drejtuesi i Forumit Shqiptar për Zhvillimin Ekonomik në Serbi, Muharrem Salihu ka bërë një denoncim në rrjetet sociale që ka të bëjë me vendosjen e flamurit serb të varrezat e njohura si malazeze në zonën me popullsi shqiptare në Medvegjë.
Ai shkruan se malazezët duhet t’u dalin për zot varrezave të tyre, por ngre dyshime dhe për prani të varreve masive të shqiptarëve të vrarë në luftën e Kosovës.
Salihu thekson se duhet të ndërgjegjësohemi që të veprojmë me mençuri, e sipas tij, nuk ka pse flamuri serb të jetë si jorgan bujar për të gjithë sllavët.
POSTIMI I PLOTË
Malazezë t’ u dalin për zot varrezave të tyre shekullore, por dhe ne tonave të para 20 vjetëve!
Vapa e fortë mund të prodhojë dalldi edhe tek kolektivitetet: kësisoj mund ta shpjegoj pse dikush dje ka vendosur një flamur serb, në varrezat që botërisht njihen si varrezat e malazezëve të Pasluftës së parë botërore, përballë shkollës «Zenel Hajdini» në Sijarinë. Ndjenjë e fortë kombëtare që ngjallet 93 vjet më pas?
Apo përmbyllje e programit shenjash të mëdha e të vogla, që theksojnë “karakterin serb” të komunave tona, në kufi me Kosovën, pas heqjes së shkrimeve shqip në Shtëpinë e Shëndetit në Medvegjë?
Sonja Biserko e ka quajtur me edukatë “spastrim etnik me metoda administrative…”
Unë do shtoja spastrim… dhe me shenja.
Mund të jetë dhe vetëtrimërim, pra vepra të vogla trimërie për konsum të brendshëm, ndërsa Serbia është në trysni të fortë ndërkombëtare përballë Kosovës. Kur humb terren ndërkombëtarisht, ndoshta zgjedh të trimërosh të verbrit në një kënd të territorit tënd.
Mirëpo asgjë nuk është rastësi..
Si duhet reaguar?
Unë mendoj se duhet reaguar në mënyrë të urtë. Asimetrike. Të mos merremi me qimen, por me traun.
Së pari, ne duhet të bëjmë thirrje komunitetit malazez, shtetit malazez, shoqatave të malazezëve në Serbi apo në Mal të Zi, e diasporë, t’i përgjigjen detyrimit për të nderuar nëse duan, të vdekurit e tyre në këto varreza. Nuk ka pse flamuri serb të jetë si jorgan bujar për të gjithë sllavët! Trojet tona, kanë plot shenja të tjera simbolike që i lidhin me malazezët që asokohe Mbretëria i solli si kordon sanitar midis shqiptarëve. Mali i Zi, malazezët e sotëm duhet t’ i dalin për zot, qoftë dhe simbolikisht, gjurmëve të ekzistencës së tyre, të dhunshme ose jo, kudo qoftë.
Besoj se malazez nuk domethënë serb, apo jo?
Së dyti, janë a s’janë realitet, duhet vërtetuar se brenda apo ne afërsi te këtyre varrezave malazezësh, nuk janë kamufluar dhe varre masive të shqiptarëve prej luftës së fundit në Kosovë.
Do të ishte perverse, e vijim pashpirtësie shtetërore, nëse është kështu, mirëpo kjo gjë duhet sqaruar njëherë e mirë. Nëse të tjerët nderojnë viktima të një shekulli më parë, ne duhet t’i vëmë emër varreve të 20 vjetëve më parë. Atje ku ka. Pa lënduar askënd.
Së treti, Kosova dhe Shqipëria duhet të merren me problemin tonë, fatin tonë, me shkuljen tonë nga rrënjët, me pastrimin tonë etnik në shekullin e 21-të, në të gjithë selitë ndërkombëtare apo në kontakte dypalëshe.
Ndaj episodi i fundit nuk duhet parë dramatikisht. As nuk duhet reaguar ndaj tij, ashtu si duan ata që e kanë krijuar: si kundërvënie midis nesh shqiptarëve dhe tyre, serbëve që të trimërohen ata mes vedi. Jo, thjesht ky episod me flamur, duhet të na ndërgjegjësojë që të veprojmë mençurisht, atje ku duhet, sipas lojës sonë, sipas lojës së të drejtave themelore universale, me një gjuhë perëndimore, dhe jo sipas lojës së kuzhinës së atyre që Sonja Biserko i ka vizatuar shumë mirë së bashku me koleget e veta kurajoze.