Chelsea është ‘mbreti’ i padiskutueshëm i Londrës. ‘Blutë’ e Tuchel kanë fituar tre derbe të qytetit në këtë fillim sezoni të Premier League.
Së fundmi, Chelsea ka mposhtur me rezultatin 0-3 Totenham Hotspurs në “White Hart Line”. Pas një pjese të parë të barazpeshuar duhej kërcimi dhe nuhatja e Thiago Silvës për të zhbllokuar sfidën pas një goditje të saktë me kokë.
Më pas për golin e dytë mendoi Kante i cili i ndihmuar dhe nga një devijim dhe shtylla çoi topin në rrjetë.
Në fund Rudiger në rolin e një sulmuesi shënoi dhe golin e tretë.
Me këtë fitore Chelsea nuk i ndahet në krye Manchester United dhe Liverpool. Nga ana tjetër ‘Blutë’ fituan në gusht 3-0 ndaj Crystal Palace dhe në transfertë 0-2 me Arsenal.
Pas fitimit të Champions League, synimi i Chelsea-s duket se është Premier League. Të besuarit e Tuchel po bindin, por konkurrenca do të jetë e fortë deri në fund.
(BalkanWeb)